Në një konferencë për media të mbajtur në Shtëpinë e Bardhë, pas nënshkrimit të marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike, këshilltari i Sigurisë Kombëtare dhe nikoqiri i takimit dyditor Robert O'Brien, tha se Serbia dhe Kosova për vite të tëra kanë qenë të bllokuara në një vend dhe nuk mund të lëviznin, ndërsa Shtëpia e Bardhë ka bërë diçka që është e jashtëzakonshme.
I pyetur nga gazetarët për kohëzgjatjen e pezullimit të fushatës për njohje nga ana e Kosovës dhe asaj për tërheqjen e njohjeve nga Serbia, O’Brien tha se mendon se kjo “do të jetë ‘ngrirje’ njëvjeçare”, për t’i dhënë hapësirë palëve që të diskutojnë një sërë çështjesh politike, në kuadër të dialogut të Brukselit.
"Ka shumë çështje që do të duhet të diskutohen. Partnerët tanë evropianë do të ofrojnë mbështetje për shumë çështje politike, anëtarësimin në Bashkim Evropian, njohjen reciproke. Ka shumë çështje që do të adresohen nga përfaqësuesit e Serbisë dhe Kosovës. Ne do të mbështesim evropianët në trajtimin e këtyre çështjeve”, tha O’Brien.
Në të njëjtën konferencë, i dërguari i posaçëm i presidentit të SHBA-së për dialogun Kosovë- Serbi, Richard Grenell, tha se për marrëveshjen është punuar për një kohë të gjatë dhe se ka qenë proces i vështirë.
"Politika ishte e mbërthyer. Të gjithë e dinë këtë. Për dekada, ka pasur bisedime dhe grindje për të njëjtat gjëra, të njëjtat fjalë. Ishte një makth", tha Grenell, duke shtuar se presidenti Trump u ka sugjeruar “që nëse ata po grinden për gjithçka politike, le të provojmë diçka tjetër”.
Grenell deklaroi se kjo është arsyeja pse ata së pari iu qasen çështjeve ekonomike.
"Nëse do të kishim bërë një gjë tipike politike, nuk do ta kishim këtë marrëveshje," vuri në dukje Grenell, duke vlerësuar se marrëveshja e arritur do të shtynte të dy ekonomitë dhe të gjithë rajonin përpara.
SHIKONI EDHE: Çfarë përmban marrëveshja e nënshkruar në Uashington?Ndërsa këshilltari presidentit Trump, njëherësh dhëndër i tij, Jared Kushnertha se marrëveshja shënon një kapitull të ri që kjo amdinistratë e ka bërë për ta bërë botën më të sigurt.
Në Shtëpinë e Bardhë, të premten, kryeminstri i Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq nënshkruan marrëveshjen për normalizim ekonomik.
Në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes ishte i pranishëm presidenti amerikan, Donald Trump.
Kosova, sipas marrëveshjes, është pajtuar që brenda një viti të mos kërkojë anëtarësim në organizata ndërkombëtare. Serbia, në anën tjetër, është pajtuar po ashtu që brenda një viti të ndalë fushatën për çnjohjen e pavarësisë së Kosovës.