Haradinaj: I lumtur që shqetësimet tona rreth Ujmanit u reflektuan në marrëveshje

Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj.

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj tha se e mirëpret marrëveshjen e nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë, ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, pasi sipas tij, aty nuk është përfshirë çështja e Liqenit të Ujmanit.

“Miqtë e vërtetë gjithmonë e kuptojnë shqetësimin e drejtë. I lumtur që shqetësimet tona në pikën kontestuese për Ujmanin, kanë reflektuar në Marrëveshjen e nënshkruar”, ka shkruar Haradinaj në rrjetin social Facebook.

Më herët gjatë ditës, Haradinaj, partia e së cilit është pjesë e koalicionit qeverisës, tha për Radion Evropa e Lirë se kishte mësuar se në marrëveshjen ndërmjet Kosovës dhe Serbisë – që u nënshkrua sot në Shtëpinë e Bardhë – ishte përfshirë edhe Liqeni i Ujmanit, duke shtuar se nëse kjo pikë nuk hiqej, ai nuk do ta përkrahte marrëveshjen si të tillë.

Megjithatë, në marrëveshjen e arritur, sa i përket Liqenit të Ujmanit thuhet se palët janë pajtuar që Departamenti amerikan i Energjisë të kryejë një studim fizibiliteti për përdorimin e përbashkët të këtij liqeni.

“Të dyja palët do të pajtohen të punojnë me Departamentin amerikan të Energjisë dhe subjektet e tjera të Qeverisë amerikane në një studim fizibiliteti, me qëllim të përdorimit të përbashkët të Liqenit të Ujmanit, si furnizues të sigurt të ujit dhe energjisë”, thuhet në marrëveshje.

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq e nënshkruan në Shtëpinë e Bardhë, marrëveshjen për normalizimin ekonomik.

Kjo marrëveshje nga presidenti Donald Trump u cilësua si “historike”, që sipas tij, është një përparim i madh në bashkëpunimin ekonomik.