Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump tha se Kosova dhe Izraeli janë pajtuar që të normalizojnë raportet dhe të vendosin marrëdhënie diplomatike, raporton Reuters.
Këtë deklaratë ai e bëri në Shtëpinë e Bardhë, ku u nënshkrua marrëveshja për normalizimin ekonomik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Kjo marrëveshje, u nënshkrua kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq në Zyrën Ovale në prani të presidentit amerikan, Donald Trump.
Kryeministri i Izraelit Benjamin Netanyahu ka folur për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike me Kosovën. Ai ka thënë se “Kosova ka rënë dakord të hapë ambasadën në Izrael, konkretisht në Jerusalem”.
Sipas tij, Kosova është bërë vendi i parë me shumicë myslimane që do të ketë ambasadën në këtë vend.
Duke folur në Shtëpinë e Bardhë, presidenti amerikan Trump tha gjithashtu se Serbia ka shprehur përkushtimin të zhvendosë ambasadën e saj nga Tel Avivi në Jerusalem.
Edhe kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu e ka konfirmuar këtë lajm.
Serbia do të transferojë ambasadën e saj nga Tel Aviv në Jerusalem. Pas SHBA-së, Serbia bëhet vendi i parë evropian që e bën një veprim të tillë, tha të premten kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu.
"Falënderoj mikun tim, presidentin e Serbisë për vendimin për të njohur Jerusalemin si kryeqytet të Izraelit dhe për të transferuar ambasadën atje" tha Netanyahu, duke shtuar se kjo do të ndodhë deri në korrik të vitit 2021.