Paga edhe pas përfundimit të mandatit apo sistemim i deputetëve?

Deputetët në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut - Foto nga arkivi.

Të premten skadon afati prej 30 ditësh që deputetët e përbërjes paraprake të mund të kërkojnë të paguhen edhe pas përfundimit të mandatit. Deri në mbyllje të këtij teksti nga parlamenti nuk kanë informuar se sa deputetë kanë kërkuar që të mund ta realizojnë këtë të drejtë.

Pagesa edhe pas përfundimit të mandatit për maksimum një vit është e drejtë ligjore që e shfrytëzojnë deputetët dhe funksionarët e tjerë.

Qëndrimet e deputetëve janë të ndryshme për sa i përket idesë së kryeministrit Zoran Zaev, që pagesa për deputetët dhe ish-funksionarët e institucioneve të zëvendësohet me sistemim në ndonjë nga institucionet e shtetit.

SHIKONI EDHE: Qeveria ul numrin e ministrive, Kuvendi rrit numrin e nënkryetarëve

Rexhail Ismaili, ish-deputet për trie mandate në Parlamentin e Maqedonisë së Veriut, thotë se e përkrah këtë ide duke theksuar se në këtë mënyrë krijohet mundësi për shfrytëzimin e potencialit që kanë krijuar gjatë përvojës si deputetë.

“Realisht, mendoj se ideja është e mirë meqë të gjithë ata deputetë të cilët e kanë një përvojë të duhur, pasi mendoj se në këtë mënyrë ata jo vetëm se do të jenë në shërbim të institucionit në të cilin do të angazhohen po edhe në shërbim të kuadrove, funksionarëve për të hartuar ligje më të mira apo për të realizuar politikat në funksion të interesave të qytetareve, për shkak të përvojës që kanë”.

“Pra, bëhet fjalë për një pjesë të vogël të deputetëve. Në bazë të analizave që i kemi bërë nga të gjitha mandatet, duke përfshirë këtu dhe përfundimin e mandatit të deputetëve në vitin 2016 ishin diku rreth 30 deputetë, të cilët kishin mbetur pa u sistemuar.

Ideja nuk është e kryeministrit Zoran Zaev, por është e ish- deputetëve, të cilët jo vetëm gjatë mandatit të fundit jemi munduar që këtë çështje ta zgjidhim përmes Ligjit për punën e deputetëve”, thotë Rexhail Ismaili.

Nga ana vjetër, Ivana Tufekxhiq, thotë se për arsye personale, për shkak të krizës që ka shkaktuar pandemia e koronavirusit, nuk ka bërë kërkesë për të shfrytëzuar të drejtën e vazhdimit të pagës edhe pas përfndimit të mandatit.

Tufekxhiq shprehet e prerë se nuk pajtohet me qëndrimin që deputetët të sistemohen në institucionet e shtetit, apo në njëfarë mënyre shteti të përkujdeset për ta duke u siguruar një vend pune në administratën e shtetit.

SHIKONI EDHE: Maqedoni e Veriut: Sa stabile do të jetë qeveria e re?

Megjithatë, ajo nënvizon se funksioni i deputetit në asnjë mënyrë nuk duhet të degradohet përmes qasjes gjithëpërfshirëse të të gjithë funksionarëved, të cilët kanë të drejtë për të shfrytëzuar pagesën pasi t’u përfundojë mandati.

“Deputetët sjellin vendime për dy milionë qytetarë, pra ata bartin përgjegjësinë e marrjes së vendimeve për dy milionë qytetarë, dhe këtu çështja është nëse duhet të vendosen në të njëjtin rrafsh me ndonjë drejtor agjencie, i cili gjithashtu ka të drejtë të shfrytëzojë apanazhë, pa dashur të fyejë apo nënvlerësojë ndonjë funksion. Megjithatë, mendoj se debate duhet të zhvillohet në atë drejtim që të bëhet një rangim i funksionarëve në raport me përgjegjësinë që ata kanë”, thotë Tufekxhiq, ish-deputete e shumicës parlamentare, kryesuar nga koalicioni i Socialdemokratëve të kryeministrit Zaev.

Ilia Dimovski, ish-deputet nga radhët e VMRO DPMNE-së, njëherësh edhe koordinator i Grupit Parlamentar të partisë së tij, thotë se ka bërë kërkesë për të shfrytëzuar pagesën pas përfundimit të mandatit, porse e përkrah idenë që deputetëve t’u ofrohet një angazhim në institucionet e shtetit në përputhje me aftësitë e tyre profesionale. Megjithëse shton se kjo ide nuk është e re por është shqyrtuar më shumë kohë si zgjidhje në kuadër të institucionit ligjvënës.

“Pavarësisht se në opinion si shembuj merren deputetët më të dobët, se ja ata tani po zënë vende të mira pune në institucione, ka dhe shumë deputetë të cilët janë ekspertë të mirëfilltë në lëmi të caktuara siç është ekonomia, drejtësia, shëndetësia etj, pra vlerësoj se kjo ide është solide, megjithëse kjo zgjidhje duhet të jetë sistemore dhe jo në bazë të bindjeve partiake”, thotë Dimovski.

Ai thekson se kjo çështje duhet të zgjidhet përmes një ligji të qartë ku saktësisht definohen kriteret në bazë të së cilave do të bëhet angazhimi i ish- funksionarëve në institucionet e shtetit.

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, gjatë kësaj jave ka theksuar se 50-60 për qind e pagesave edhe pas përfundimit të mandatit do të shënojnë rënie, pasi pason angazhimi i deputetëve dhe ish- funksionarëve në institucione shtetërore.

“Një përqindje e madhe e përbërjes së kaluar të deputetëve do të ketë ofertë nga unë personalisht, si kryeministër, të sistemohen në institucionet publike, nuk flas vetëm për vendet e drejtorëve, por edhe për pozitat, të cilat do të thonë shfrytëzim i përvojës dhe kapacitetit të tyre, që të mund të hyjnë në institucione, të vazhdojnë të krijojnë dhe të punojnë për shtetin e tyre, sepse kur kanë kryer funksione më të larta, është e rendit ata njerëz të cilët kanë profile të tyre dhe ekspertiza, të jenë në funksion të shtetit”, ka deklaruar Zaev.