Vuçiq: Njohja e Kosovës nuk është më temë

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka konfirmuar se bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë do të vazhdojnë edhe më 4 shtator në Uashington.

"Dokumenti i parë, të cilin e kishim, mbante titullin 'Normalizimi ekonomik'. Përfaqësuesit e Shteteve të Bashkuara na e ndanë dokumentin. Ajo letër për ne nuk ishte fare e lehtë dhe në të ishte pika për njohjen e ndërsjellë, gjë që për ne nuk është risi. Thash se këtë nuk mund ta pranojmë dhe administrata e Trumpit u tregua e drejtë, e kuptuan që ne nuk mund ta pranojmë“, tha Vuçiq.

SHIKONI EDHE: Kosova, Serbia nënshkruajnë dokument në Shtëpinë e Bardhë të premten

Vuçiq tha se "nuk ka dyshim se sot dhe sonte njohja e pavarësisë së Kosovës nuk do të jetë temë, sepse unë e kam bërë të qartë se nuk mund ta pranojmë atë".

Ai falenderoi nikoqirët amerikanë që “ishin të gatshëm t’i dëgjojnë vërejtjet e Serbisë”.

Presidenti serb konfirmoi që në një moment, gjatë bisedimeve, kishte arritur edhe Ivanka Trump, vajza e presidentit amerikan Donald Trump, që është gjithashtu edhe këshilltare e tij.

“Se a do të ketë takime në nivel edhe më të lartë, këtë nuk mund ta thotë askush ende. Kjo varet nga ajo se çfarë do të ndodhë gjatë mbrëmjes”, theksoi Vuçiq.

SHIKONI EDHE: Grenell e quan të pavërtetë lajmin se nga Vuçiq po kërkohet nënshkrimi për njohjen e Kosovës


Me Ivanka Trump është biseduar për zhvillimin e ndërmarrësisë në Ballkan, veçanërisht për ndërmarrësinë e grave në Beograd dhe Prishtinë, ka thënë Vuçiq dhe ka shtuar që ekziston mundësia që ajo ta vizitojë këtë hapësirë.

Ndërsa kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, pas bisedimeve tha se më 4 shtator pritet të prezantohet marrëveshja për temat ekonomike, që delegacioni i Kosovës dhe i Serbisë diskutoi sot në Shtëpinë e Bardhë.

Ai tha se këto bisedime paraqesin një hap drejt marrëveshjes finale mes Kosovës dhe Serbisë.

“Nesër presim që ta finalizojmë të gjithë këtë angazhim që kemi pasur tash e sa kohë dhe diskutimet që patëm sot”, tha kryeministri Hoti, duke i quajtur bisedimet si historike.

“Kemi bërë një hap të madh drejt përmbylljes së marrëveshjes finale”, shtoi ai.

Nikoqirë të bisedimeve Kosovë-Serbi në Shtëpinë e Bardhë janë këshilltari amerikan për Siguri Kombëtare i Shtëpisë së Bardhë, Robert O’Brien, si dhe i dërguari i Posaçëm i presidentit amerikan për bisedimet Kosovë-Serbi, Richard Grenell.

Para fillimit të bisedimeve të enjten, Grenell ka thënë se populli i Kosovës dhe ai i Serbisë meritojnë normalizimin ekonomik dhe mundësinë për të krijuar një ekonomi gjallëruese.

Ky është takimi i dytë i thirrur nga Uashingtoni. Një takim i planifikuar më 27 qershor, ishte anuluar pak ditë para mbajtjes, meqë Zyra e Prokurorit të Specializuar me seli në Hagë kishte deklaruar se ka paraqitur një aktakuzë për krime lufte ndaj presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, i cili ishte i ftuar në takimin e Uashingtonit.

Në fillim të këtij viti, Kosova dhe Serbia, nën ndërmjetësimin e të dërguarit të posaçëm të presidentit amerikan për bisedimet Kosovë-Serbi, Richard Grenell kanë nënshkruar marrëveshjet apo letrat e interesit për linjën ajrore, atë hekurudhore dhe për autostrada ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, por të cilat ende nuk kanë nisur së zbatuari.

Ky pajtim mes Kosovës dhe Serbisë është arritur në kohën kur dialogu i lehtësuar nga Bashkimi Evropian ishte pezulluar për shkak të vendimit të Qeverisë së Kosovës për vendosjen e taksës doganore 100 për qind për produktet më origjinë nga Serbia.

Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë rinisi në Bruksel më 16 korrik.
Në takimet e zhvilluara së fundi në Bruksel, është diskutuar për të zhvendosurit, të pagjeturit dhe bashkëpunimin ekonomik.