Katërmbëdhjetë persona do të gjykohen në Francë për sulmin vdekjeprurës në revistën satirike "Charlie Hebdo", më shumë se pesë vjet më parë.
Shumica e bashkëpunëtorëve të dyshuar për sulmin do të gjykohen në Paris, por tre do të gjykohen në mungesë.
Ata akuzohen se kanë ndihmuar militantët islamikë, që qëlluan për vdekje 12 persona brenda dhe rreth zyrave të Charlie Hebdo në janar të vitit 2015.
Një person tjetër i armatosur qëlloi për vdekje një polic dhe sulmoi një dyqan hebre.
Në total, 17 njerëz u vranë në një periudhë prej vetëm tre ditësh. Vrasjet shënuan fillimin e një vale sulmesh xhihadiste në të gjithë Francën që la më shumë se 250 njerëz të vdekur.
Në ditët pas sulmeve, miliona njerëz morën pjesë në marshime solidariteti në të gjithë Francën dhe nëpër botë me moton "Je suis Charlie" (Unë jam Çarli).
Revista ka shënuar fillimin e gjyqit duke ribotuar karikaturat e diskutueshme të profetit Muhamed që nxitën protesta në disa vende myslimane.
"Ne kurrë nuk do të rrëzohemi. Asnjëherë nuk do të dorëzohemi", shkroi drejtori, Laurent Sourisseau, në një editorial më 1 shtator.
"Urrejtja që na goditi është ende atje dhe, që nga viti 2015, i është dashur kohë për të ndryshuar pamjen e saj, për të kaluar pa u vënë re dhe për të vazhduar në heshtje fushatën e saj të pamëshirshme", tha ai.
Katërmbëdhjetë personat akuzohen se kanë ndihmuar në përgatitjen dhe planifikimin e vrasjeve. Gjyqi i tyre fillon të mërkurën pasi procedurat u shtynë për gati katër muaj për shkak të pandemisë së koronavirusit.
Gjyqi pritet të zgjasë deri në nëntor.