Afaristët e Maqedonisë së Veriut kërkojnë pako të shpejta për mbijetesën e bizneseve

Ilustrim

Kryeministri I Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, me të marrë besimin që të drejtojë qeverinë gjatë katër viteve të ardhshme nga shumica parlamentare është zotuar se prioritet numër një për qeverinë e re të vendit do të jetë ekonomia dhe menaxhimi i krizës nga pandemia e koronavirusit.

“Prioriteti i parë i qeverisë së re do të jetë vazhdimi i masave anti-krizë për ndihmë edhe më të madhe për qytetarët dhe ekonominë. Tejkalimi i pasojave të krizës së koronës dhe rikthimi i niveleve të mëparshme të rritjes ekonomike do të jetë në fokusin e punës së qeverisë”, ka deklaruar Zoran Zaev menjëherë pasi parlamenti votoi për zgjedhjen e tij si kryeministër i vendit .

Në bazë të parashikimeve të qeverisë, deri në fund të vitit duhet të shfaqen sinjalet e para për sa i përket rimëkëmbjes së ekonomisë, përderisa në vitet e ardhshme parasheh që rritja të jetë me një ritëm të përshpejtuar.

SHIKONI EDHE: Maqedoni e V.: Qeveria të heqë dorë nga investimet joproduktive

Por, afaristët në Maqedoninë e Veriut thonë se për të pasur rritje ekonomike, një herë duhen kushte që të mbijetojnë sektorë të caktuar të ekonomisë së vendit që kanë marrë goditje nga kriza e pandemisë.

Nebi Hoxha, kryetar i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veriperëndimore, për Radion Evropa e Lirë thotë se për të ruajtur likuiditetin kompanitë e vogla, krahas vazhdimit të pakos së masave nga qeveria për subvencionimin e pagës minimale për kompanitë e goditura nga kriza e koronavirusit, nevojiten dhe masa shtesë.

“Me rëndësi është që të theksohet se duhet të kemi mbështetjen financiare për kompanitë nga ana e shtetit , që është e domosdoshme për të ruajtur likuiditetin e tyre veçanërisht kompanitë për kompanitë e vogla dhe ata të mesme".

"Njëkohësisht, kreditë me norma interesi minimale dhe ato zero që janë të parapara për kompanitë të cilat kanë potencial zhvillimor, të jenë të kapshme për sektorin e biznesit edhe gjatë periudhës së ardhshme. Gjithashtu duke ditur se sektori më i goditur është sektori i gastronomisë, duhet përkrahur me masa plotësuese financiare që ata të jenë në gjendje që ti shlyejnë detyrimet e tyre ndaj furnitorëve të tyre”, thekson Nebi Hoxha drejtor i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veriperëndimore.

Ai thekson se kriza e shkaktuar nga pandemia e koronavirusit për një kohë të gjatë do të sjellë shumë paqartësi, në këtë rast qeveria duhet të reagojë me masa amortizuese për të shmangur dëmet që mund të sjellin në bllokimin e ekonomisë së vendit, veçanërisht në sektorë të caktuar.

“Në aspektin e dëmeve do theksuar se ky vit ishte dhe do të mbetet një vit shumë i rëndë jo vetëm për ekonominë e vendit, por edhe për atë globale. Qeveria duhet të ketë prioritet kompanitë që janë goditur nga kriza e koronavirusit dhe gjinden në vijën e kuqe të likuiditetit, për të mos lejuar mbylljen e tyre”, thotë Hoxha.

SHIKONI EDHE: Koronavirusi ka zbrazur arkat e komunave në Maqedoninë e Veriut

Ndërkohë, drejtoresha ekzekutive e Finance Think, Bllagica Petrevski, për Radion Evropa e Lirë thotë se me shumë rëndësi është që qeveria e vendit të dizajnojë masat për ripërtëritjen e ekonomisë në atë mënyrë që mjetet e dedikuara si ndihmë për kompanitë e goditura nga pandemia të shkojnë tek ato biznese që realisht kanë pësuar dëme më të mëdha.

“Nga ky aspekt mendoj se është e nevojshme që sa më shpejt Qeveria të dalë me masa të reja për revitalizimin e ekonomisë, por gjithashtu të identifikohen ata sektorë, ato fusha të cilat mund të paraqesin motorin e ekonomisë dhe të jenë shtytës të ekonomisë në periudhën që vijon, veçanërisht në këtë periudhë post-koronë”, thotë Petrevski.

Ajo duke komentuar faktin se një e treta e mjeteve të ndara nga qeveria në vlerë prej 550 milionë eurove mbeten të pashfrytëzuara nga kompanitë, thotë se “një nga anomalitë e disenjimit të këtyre masave ishte targetimi”.

“Mendoj se këtu duhet më me seriozitet të hyjmë në vlerësime kuantitative se kush do të jetë në të ardhmen (në listën për të marrë ndihma), por dhe cilat do të jenë efektet - gjithmonë me qëllim që të kemi projeksion më të mirë dhe vlerësim më të mirë".

'Por, ajo që nuk është shfrytëzuar shuma totale e mjeteve, jep hapësirë që në periudhën në vijim këto mjete të shfrytëzohen në mënyrë më racionale dhe më efektive tek ato kompani si dhe ata sektorë të cilët kanë më shumë nevojë për to”, vlerëson Petrevski.

SHIKONI EDHE: Pandemia dëmton rëndë turizmin në Maqedoninë e Veriut

Ndryshe, autoritetet qeveritare kanë theksuar se gjatë mandatit katërvjeçar do të fokusohen në një varg masash për rimëkëmbjen e ekonomisë ku bën pjesë rritja e pagave, rritja e pensioneve , implementimi i paketave që mundësojnë blerjen e stazhit për pensionim të parakohshëm, ulja ose heqje të plotë e tatimit personal për sektorë të caktuar.

Por, njohësit e çështjeve ekonomike thonë se të gjitha këto synime do të jetë shumë e vështirë për t'u realizuar për faktin se kriza e pandemisë ka zbrazur tej mase arkën e shtetit dhe premtimet e këtilla janë shumë ambicioze karshi mundësive.