Hoti kërkon unitet rreth dialogut para takimit në Uashington

Foto nga arkivi

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë të shtunën se vetëm njohja reciproke në mes të Kosovës dhe Serbisë, i normalizon marrëdhëniet në mes të dy vendeve.

Hoti, përmes një postimi në Facebook, tha se njohja reciproke është tema e vetme që diskutohet, pa cenuar integritetin territorial të Kosovës.

“Në çfarëdo takimi që kam pasur dhe do të kem me përfaqësuesit e Serbisë, njohja reciproke është tema e vetme. Çdo gjë që bisedohet me ta është në funksion të arritjes së marrëveshjes për njohje reciproke, pa cenuar integritetin teritorial apo karakterin unitar të shtetit të Kosovës".

"Kosova mbetet e përkushtuar për dialog, sepse është vend evropian, me orientim të qartë euro-atlantik. Nisur nga kjo qartësi e plotë e procesit, unë nuk do të hezitoj të dialogojmë”, tha ai.

Hoti u ka bërë thirrje të gjithë akterëve politikë në Kosovë që të përfshihen në këtë proces për të arritur një qëndrim të përbashkët.

“Gara politike në mes nesh, që duhet të jetë demokratike dhe mbi baza të kushtetutës, mund dhe duhet të zhvillohet për tema të tjera të politikës, ekonomisë, arsimit, shëndetësisë dhe fushave të tjera”, shtoi ai.

Dy partitë politike opozitare në Kosovë nuk kanë ndryshuar qëndrim për të qenë pjesë aktive e dialogut politik me Serbinë. Ata kanë kritikuar në vazhdimësi qeverinë Hoti për mungesë të strategjisë në këtë proces.

Procesi i dialogut ka vazhduar në nivel teknik në Bruksel ditë më parë, ku është diskutuar kryesisht për çështje ekonomike.

Përfaqësuesit e Kosovës dhe Serbisë pritet të takohen më 4 shtator në Uashington. Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, të shtunën ka paralajmëruar se pret negociata të vështira dhe befasi nga ky takim.