Në Bruksel po mbahen takimet në nivel ekspertësh në kuadër të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të lehtësuar nga Bashkimi Evropian.
I dërguari i Posaçëm për dialogun, Mirosllav Lajçak, në një postim në Twitter ka bërë të ditur se është takuar me koordinatorët nga të dyja palët, për të punuar në finalizimin e çështjeve të diskutuara në takimet e fundit.
“Para takimit të nivelit të lartë politik në fillim shtatorit, u takova sot me kryenegociatorët/koordinatorët për të punuar në finalizimin e çështjeve të diskutuara në takimet e fundit”, ka shkruar Lajçak.
Në takimet e zhvilluara së fundi në Bruksel, në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është dikutuar për të zhvendosurit, të pagjeturit dhe bashkëpunimin ekonomik.
Delegacionin e Kosovës në bisedimet e nivelit të ekspertëve e udhëheq koordinatori shtetëror për dialogun, Skender Hyseni, ndërsa ai pritet të jetë i shoqëruar edhe nga Muhamet Mustafa dhe Ibrahim Makolli si ekspertë për temat që janë në rend dite.
Delegacionin e Serbisë e udhëheq shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq.
Your browser doesn’t support HTML5
Prej kur kishte rifilluar dialogu në nivelin e lartë, pos dy takimeve të kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, janë zhvilluar edhe tri takime në nivel ekspertës. Shefi i delegacionit të Kosovës në këto takime, Skender Hyseni, gjithmonë ka insistuar se bisedimet janë politike e jo teknike dhe se në to po përgatitet marrëveshja gjithëpërfshirëse, e cila do të përmbajë edhe njohjen e ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë.
Në anën tjetër, delegacioni i Serbisë ka hedhur poshtë se po flitet për njohjen e Kosovës dhe ka insistuar se duhet të flitet edhe për zbatimin e të gjitha marrëveshjeve, të cilat janë arritur më parë në këtë dialog.
SHIKONI EDHE: Takimi në Uashington-një hap drejt marrëveshjes përfundimtareNjë javë pas takimit të sotëm në Bruksel, do të zhvillohet edhe takimi i nivelit të lartë në Uashington i thirrur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në BE atë takim nuk e shohin si konkurrencë apo garë mes tyre dhe SHBA-së, por vetëm si plotësim të përpjekjeve për normalizimin e raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Gjatë vjeshtës, sipas burimeve të BE-së, pritet një rritje e dinamikës së takimeve, si në nivelin e lartë, ashtu edhe në atë të ekspertëve.
Në pjesën e parë të shtatorit do të mund të takohen në Bruksel kryeministri i Kosovës, Hoti, dhe presidenti i Serbisë, Vuçiq, ndërsa takimet e ekspertëve do të mund të zhvillohen rregullisht, së paku një herë në javë, nëse rrethanat do të mundësojnë një gjë të tillë dhe palët do të kenë gatishmëri.