Në Maqedoninë e Veriut kanë pasuar një varg reagimesh pas ndryshimeve të vendimeve të punës së qindra pjesëtarëve të sigurisë nga ana e ministrit të Punëve të Brendshme, vetëm disa ditë para se të formohet qeveria e re.
Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë së Veriut, në bazë të marrëveshjes së Përzhinos menjëherë pas përfundimit të zgjedhjeve në 100 ditët para mbajtjes së procesit zgjedhor drejtohet nga partia më e madhe maqedonase VMRO DPMNE-së, pastaj kalon në duart e zëvendësit të këtij dikasteri që vjen nga radhët e Bashkimit Demokratik për Integrim.
Nga Ministria e Punëve të Brendshme, për Radion Evropa e Lirë kanë sqaruar se të gjitha ndryshimet e vendeve të punës janë bërë me propozim të drejtuesve të sektorëve dhe njësive të caktuara ku për bazë është marrë efikasiteti dhe rezultatet e secilit punonjës.
SHIKONI EDHE: BDI kapërcen dallimet, qeveria të mërkurën në Kuvend
Nga dikasteri i policisë gjithashtu theksojnë se është e padiskutueshme baza juridike në bazë të së cilës janë bërë ndryshimet e vendimeve të punës për pjesëtarë të caktuar, pasi siç kanë theksuar ndryshimi i vendeve të punës është bërë në funksion të efikasitetit duke i kthyer pjesëtarët e caktuara në njësitet më afër vendbanimeve.
Nga Ministria e Punëve të Brendshme janë shprehur të prerë se nuk bëhet fjalë për ulje të pozitave dhe as avancimin e personave të caktuar, pasi këtë nuk e lejon ligji që në periudhën para formimit të qeverisë të ngrihen ose ulen në detyrë persona të caktuar.
Por, përfaqësuesit e sindikatave të policisë thonë se bëhet fjalë për revansh politik sepse nuk janë dhënë shpjegime konkrete në bazë të cilave argumente është bërë ndryshimi i vendeve të punës për pjesëtarë të caktuar të strukave të policisë.
Por, Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Policisë, Goce Dellçev Todev, për Radion Evropa e Lirë thotë se me ndryshimet e kreut të dikasterit të punëve të brendshme në pako bëhen dhe ndryshime në përbërjen e nënpunësve policorë që nuk kanë asnjë lidhje me pozitat politike.
Todev, thotë se një pjese të pjesëtarëve të Njësisë për Intervenim të shpejtë dhe njësisë për detyra speciale "Tigrat", pa të drejtë u janë ndryshuar vendimet e punës.
Nëse ndonjëri nga ata ka gabuar dhe për këtë ka epilog gjyqësor për sa i përket tejkalimit të kompetencave kjo është në rregull, por nëse një personi të angazhuar në njësitin special i merren kompetencat, për mua kjo është e patolerueshme “, thotë Todev.
Ai duke arsyetuar reagimet e sindikatës thotë se gjatë ndryshimeve kadrovike në dikasterin e policisë nuk janë respektuar madje as normat bazë për sa I përket meritokracisë, por siç shprehet vendimtare mbeten lidhjet me strukturat partiake nga e cila drejtohet kjo ministri.
Todev thotë se ndryshimet e fundit mbase vënë në rrezik dhe sigurinë e vetë punonjësve të sigurisë.
Edhe Vlladmir Avramovski, përfaqësueses i sindikatës së njësitit special për intervenim të shpejtë, kërkon shpjegim se në bazë të cilave dispozitave janë bërë ndryshimet e vendeve të punës për pjesëtarë të caktuar të policisë të cilët janë zhvendosur nga njësitet speciale në njësitet e rregullta.
“Sigurisht se bëhet fjalë për mungesë të argumenteve, për shpërndarje joadekuate të vendeve të punës. Unë si përfaqësues i sindikatës kërkoj që të rishqyrtohen vendimet e dhëna ditëve të fundit për ndryshimin e vendeve të punës për pjesëtarë të caktuar”, thotë Avramovski.
SHIKONI EDHE: Maqedoni e Veriut: Sa stabile do të jetë qeveria e re?Por, Qebir Avziu ish-zyrtar i lartë në dikasterin e policisë, për Radion Evropa e Lirë thotë se ndryshimet shihen me sy kritik, veçanërisht kur këto ndryshime bëhen nga shqiptarët.
Avziu thotë se është e kuptueshme që të ketë reagime të sinkronizuara nga ana e drejtuesve të dikasterit të policisë, pasi shumë sektorë për shumë vite kanë qenë të mbyllur hermetikisht për shqiptarët.
“Për çdo rast konkret duhet të analizohet dhe të arsyetohet, përkatësisht të shihet se ai vend pune ku shkon pjesëtari i sigurisë do të jetë më efikas në kryerjen e detyrave apo ka ndonjë tendencë me prapavijë politike".
"Tani ne nuk mund të themi në mënyrë të përgjithësuar se ky rast për sa i përket ndryshimit të punës është i arsyeshëm dhe ky nuk është i arsyeshëm. Çdo rast në mënyrë individuale duhet të analizohet dhe të arsyetohet. Në rastin konkret, ministri i Punëve të Brendshme ndoshta e sheh të arsyeshme se këto ndryshimet e fundit do të jenë më efikase dhe më efektive dhe kjo ndoshta është e qëndrueshme”, thotë Avziu.
Njohësit e çështjeve të sigurisë thonë se ligji që rregullon marrëdhënien e punës së pjesëtareve të sigurisë duhet të pësojë ndryshime, ku shtyllë bazë për ngritjen në detyrë do të mbetet meritokracia, dhe ulja në detyrë nuk do të jetë e mundur para se të realizohet paraprakisht masa disiplinore nga komisionet përkatëse.