Janë bërë gjashtë vjet që kur Erdis Driza nga Prizreni, ka shndërruar shtëpinë e vjetër të familjes në bujtinë. Punën më të madh thotë se ka në muajin gusht, sidomos në ditët kur mbahet festivali ndërkombëtar i filmit dokumentar dhe të shkurtër ‘DokuFest’.
Për shkak të pandemisë COVID-19, ky festival që ka filluar më 7 gusht dhe zgjatë deri më 25 gusht, po mbahet online.
Si pasojë e kësaj, Erdis Driza thotë se në bujtinën e tij që mund të flenë brenda natës deri në 17 persona, tash nuk është askush. Ai thotë për Radion Evropa e Lirë se do ta mbyllë bujtinën e tij, biznes ky me të cilin ai mbanë familjen pesë anëtarëshe.
“Në mars sa deshëm ta hapim pas një rinovimi të vogël, filloi izolimi dhe e mbyllëm edhe prej atëherë që pesë muaj, diku 15 mysafirë i kemi pasur. Këtë javë më duhet të shkoj në ATK që ta paraqes mbylljen e bujtinës sepse është tremujori i dytë që po më duhet të paguajë Trustin, tatimin, të gjitha po më duhet t’i paguaj, e në anën tjetër nuk po bëjmë aq para sa të paguajmë ato që janë obligative”, thotë Driza.
SHIKONI EDHE: Industria globale e turizmit humbi 320 miliardë dollarëTë papunë janë edhe kompanitë turistike në qytetin perëndimor të Kosovës. Mentor Bojku nga Peja është bashkëpronar i kompanisë ‘Outdoor Kosovo’.
Ka disa vjet që me veturat e kompanisë ai dhe punëtorë të tjerë, kanë bartur dhjetëra turistë brenda ditës për në bjeshkët e Rugovës dhe në lokacione të tjera.
Mirëpo që nga fillimi i pandemisë, veturat e tij kanë mbetur të parkuara dhe të pashfrytëzuara si pasojë e mungesës së vizitorëve. Bojku tregon për Radion Evropa e Lirë se aktualisht nuk e kanë të angazhuar asnjë punëtor dhe janë duke punuar vetëm ai dhe partneri i tij në biznes.
“Gjatë kohës kur nuk ka sezon jemi të angazhuar dy-tre persona, ndërsa kur është vrulli i punës, mbërrin deri në 15-16 punëtorë. E njëjta periudhë e këtij viti krahasuar me vitin e kaluar, jemi të angazhuar vetëm dy persona, sa për të mos u mbyllur firma”, thotë Bojku.
Humbjet milionëshe
Për çdo vit Kosovën e vizitojnë miliona turistë. Një vizitë dyditore në Kosovë një turisti i kushton nga 100 deri 150 euro. Sipas shoqatave të turizmit në Kosovë, rënia e numrit të turistëve ka bërë që të ketë deficit deri në 20 milionë euro në këtë sektor.
Baki Hoti kryetar i Unionit të Turizmit të Kosovës thotë për Radion Evropa e Lirë se sektori i turizmit është në një kolaps total.
“Viti i kaluar në bazë të analizave që kemi marr nga sektori i hotelerisë dhe agjencive turistike, ka qenë njëri ndër vitet më të mira sa i përket turistëve. Nëse e llogarisim me pjesën e diasporës, kemi pasur mbi dy milionë turistë që e kanë vizituar Kosovën, ndërsa këtë vit siç po shihet deri më tash kemi një numër 2 për qind të numrit të kaluar”, thotë Hoti.
SHIKONI EDHE: Turizmi, një sektor i zhytur në humbjeAi thotë se rimëkëmbja e këtij sektori do të jetë i vështirë pasi kërkon një kohë më të gjatë.
Sipas kryetarit të Odës së Hotelerisë dhe Turizmit, Hysen Sogojeva, 70 për qind e bizneseve të hotelerisë janë duke punuar me humbje.
“Duke e ditur natyrën e punës që e ka hoteleria, numri më i madh i punëtorëve është në sektorin e turizmit dhe hotelerisë dhe si rezultat i kësaj dhe masat të cilat janë ndërmarr në fillim, ky sektor ka qenë më i atakuari”, thotë Sogojeva.
Radio Evropa e Lirë ka tentuar të marrë të dhëna edhe Ministria e Tregtisë dhe Industrisë lidhur me këtë çështje, por nga kjo ministri nuk janë përgjigjur.