BE-ja do të sanksionojë individët e përfshirë në "mashtrimet zgjedhore" të Bjellorusisë

Flamujt e BE-së.

Bashkimi Evropian ka thënë të mërkurën se nuk do të njohë rezultatet e zgjedhjeve në Bjellorusi dhe do të vendosë sanksione ndaj personave të përfshirë në mashtrimet zgjedhore si dhe në shtypje të protestave, ka thënë shefi i Këshillit Evropian, Charles Michel.

“Bashkimi Evropian do të vendosë sanksione ndaj një vargu individësh që janë përgjegjës për dhunën, shtypjen dhe mashtrimet zgjedhore”, ka thënë Michel në një samit të jashtëzakonshëm të liderëve të BE-së, i cili është organizuar për të diskutuar përgjigjjen e bllokut evropian ndaj zgjedhjeve të 9 gushtit në Bjellorusi.

Vala e zemërimit në Bjellorusi është rritur prej kur Komisioni Qendror Zgjedhor ka thënë se Lukashenka, që ka qenë në pushtet nga viti 1994, ka fituar 80.1 për qind të votave, për dallim nga kandidatja e opozitës, Svetlana Tikhanovskaya 10.12 për qind.

Tikhanovskaya, që është larguar drejt Lituanisë pasi ka kundërshtuar publikisht rezultatet, insiston se nëse votat do të numëroheshin si duhet, ajo do të fitonte 60 deri në 70 për qind të përkrahjes qytetare.

Përmes një video-mesazhi të publikuar të hënën, ajo ka thënë se është e gatshme të bëhet “lidere kombëtare” në mënyrë që të kthejë qetësinë dhe normalitetin, duke liruar të burgosurit politikë, dhe duke nisur përgatitjet për zgjedhje të reja.