Lidhja Social-Demokrate dhe Bashkimi Demokratik për Integrim kanë njoftuar arritjen e marrëveshjes për formimin e Qeverisë së re të Maqedonisë së Veriut.
Marrëveshje u bë e ditur nga liderët e dy partive, Zoran Zaev dhe Ali Ahmeti. Kreu i LSDM-së, Zaev tha se do të jetë kryeministër me mandat të plotë katërvjeçar, duke bërë kështu të ditur se ky post nuk do të ndahet në rrotacion me BDI-në, e cila këtë post e kishte moto kryesore të fushatës zgjedhore.
Dy liderët nuk prezantuan planet e tyre për ndarjen e posteve qeveritare. Por, Zaev njoftoi se kryetar i kuvendit do të vazhdojë të jetë Talat Xhaferi nga BDI-ja.
Zaev tha se me BDI-në janë pajtuar që gjatë mandatit katërvjeçar bashkërisht të punojnë në ndarjen e përgjegjësive sikur dhe përbërjes së qeverisë së re.
“Lufta kundër koronavirusit do të jetë prioritet në punën e qeverisë, sikur edhe standardi ekonomik, rritja e pagave, lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Jemi pajtuar për forcimin e sistemit të drejtësisë, hetimin e pasurisë së funksionarëve dhe të kaluarën e tyre”, ka deklaruar kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev.
Sa i përket postin të kryeministrit, kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti nuk iu përgjigj pyetjes së gazetarëve se si BDI-ja do të arsyetojë heqjen dorë nga kjo kërkesë me të cilën udhëhoqi fushatën zgjedhore.
“Ky vendim që është marrë të martën, pritej nga të gjithë qytetarët e vendit dhe partnerët ndërkombëtarë për vazhdimin e proceseve integrues. Ne kemi dalë me kandidat (për kryeministër) si e drejt e jona legjitime dhe nëse do të barrikadohemi, asnjëherë nuk do të arrijmë zgjidhje për të mirën e qytetarëve. Mendoj se qëllimi është arritur që të përçojmë mesazhin te të gjithë qytetarët”, deklaroi Ahmeti, duke theksuar se beson se ky partnerit i radhës së me LSDM-së, do të jetë më i suksesshëm deri më tani.
SHIKONI EDHE: Zoran Zaev nominohet për kryeministër të Maqedonisë së VeriutPor, Zoran Zaev tha se me BDI-në janë pajtuar që 100 ditë e fundit të qeverisë, kryeministri do të propozohet nga BDI-ja.
“Qeveria e Përzhinës më nuk do të funksionojë për shkak të problemeve në të kaluarën. Por, kur vinë zgjedhjet, të gjitha partitë duhet të ndjehen të barabarta, kështu që LSDM-ja do të pranojë që 100 ditë para zgjedhjeve, me propozim të BDI-së, të zgjidhet një kryeministër i ri”, tha Zaev.
Në zgjedhjet e 15 korrikut, LSDM-ja e Zoran Zaevit ka fituar 46 ulëse në kuvend, BDI-ja 15, opozita shqiptare 12, PDSH-ja 1. Në rast se brenda 20 ditëve LSDM-ja nuk arrin ta formojë qeverinë, atëherë mandati duhet t’i kalojë partisë së dytë fituese, VMRO- DPMNE-së e cila ka 44 ulëse në kuvend.
Sipas Kushtetutës, Qeveria e re e Maqedonisë së Veriut duhet të marrë minimum 61 vota të deputetëve.