Trupi Kombëtar i Koordinimit (NCB) për Luftimin e Sëmundjeve Infektive i Malit të Zi, vendosi të hënën, më 17 gusht, të lejojë hyrjen në Mal të Zi të personave që kanë filluar udhëtimin ose kanë rezervuar akomodimin me një rezultat negativ të testit ELISA IgM ose një test negativ ECLIA, në përputhje me rregullat që ishin të vlefshme deri të premten, më 14 gusht.
Testi Elisa, është test serologjik që bëhet përmes gjakut dhe tregon prezencën e antitrupave të virusit në organizmin e njeriut. Testi Eclia është poashtu test serologjik që përcakton nëse një pacient ka qenë i ekspozuar ndaj virusit dhe nëse ai ka zhvilluar antitrupa kundër tij.
Testi virologjik, me metodën PCR, përcakton nëse virusi është aktiv në trupin e njeriut.
Sipas vendimit, nga 15 gushti banorët e Kosovës, Shqipërisë, Bosnje dhe Hercegovinës, Maqedonisë Veriore dhe Serbisë, për të hyrë në Mal të Zi, duhej të kishin një rezultat negativ të testit PCR për koronavirusin (SARS-CoV-2), ose një rezultat pozitiv të testit të antitrupave IgG i marrë me anë të testit serologjik ELISA, jo më të vjetër se 72 orë. Ky kusht nuk vlen për fëmijët nën 5 vjeç.
Drejtori i Institutit për Shëndetin Publik, Boban Mugosha, sqaroi në konferencën për shtyp se rreth njëmijë njerëz të cilët kishin bërë testimin sipas rregullave të mëparshme kanë kontaktuar me Malin e Zi pasi kanë rezervuar dhe paguar akomodimin në qendrat turistike malazeze.
Prandaj, ai tha se tash lejohet hyrja nga vendet, qytetarët e të cilëve hynin me një test serologjik negativ.
"Ne i përmbahemi rregullave që të ulim rrezikun e infeksionit në Mal të Zi në mënyrë që të mos rrezikojmë mysafirët ose popullsinë vendase," shpjegoi Mugosha.
SHIKONI EDHE: Mali i Zi – Nga një shtet pa koronavirus në vendin me numrin më të madh të infektimeve në rajonVendet, shtetasit e të cilëve kanë hyrë në Mal të Zi me një test serologjik negativ janë Kosova, Shqipëria dhe Bosnja dhe Hercegovina.
Për shkak të ndryshimit të rregullave të hyrjes në Mal të Zi, Munib Abazoviq nga Ulqini, i cili lëshon akomodim për turista, tha se kishte katër familje që anuluan rezervimin e qëndrimit të tyre në 15 gusht, sepse nuk mund të kalonin kufirin për shkak të mosndjekjes së testeve të nevojshme për koronavirusin.
"Duke marrë parasysh që kufiri i Malit të Zi me Shqipërinë ka qenë i hapur më parë, me kushtin që duhet të ketë një provë negative të koronavirusit bazuar në një analizë gjaku, e cila më nuk është e vlefshme, ka pasur një keqkuptim. Të katër familjet janë kthyer nga kufiri, të gjithë të zhgënjyer ", tha Abazoviq për Radion Evropa e Lirë, duke shtuar se këta turistë, në vend se në Ulqin, tani janë duke pushuar në bregdetin shqiptar.
Sipas Abazoviq, në mesin e turistëve që e thërrasin atë çdo ditë për të pyetur rreth mundësive të pushimeve, ka shumë konfuzion kur bëhet fjalë për masat për të hyrë në Mal të Zi.
Ai pohon se disa thonë se turistët nga Kosova, të cilët udhëtuan për në Mal të Zi përmes Shqipërisë, mund të kishin bërë testime për koronavirusin në atë vend më herët dhe të marrin rezultatet në disa orë me një çmim prej 25 euro, e që ato teste më nuk janë më të vlefshme.
Pas vendosjes së kushteve të reja për hyrjen në Mal të Zi, ambasadori i Bosnje dhe Herzegovinës (BiH) në Podgoricë, Branimir Jukiq, gjithashtu reagoi me një kërkesë tek autoritetet malazeze për të sqaruar masat e reja që lidhen me kalimin e kufirit të qytetarëve të Bosnjes.
Ambasadori i Bosnje e Hercegovinës kërkoi sqarime nëse qytetarët do të jenë në gjendje të kalojnë kufirin në përputhje me praktikën që ishte e vlefshme deri katër ditë më parë.
REL e pyeti Ambasadorin Jukiq nëse kishte marrë një shpjegim me kërkesën e tij, por ai nuk u përgjigj.
Ambasada e Kosovës në Mal të Zi gjithashtu nuk komentoi vendimet e reja.
REL kontaktoi edhe Inspekcionin Shëndetësor dhe Sanitar lidhur me numrin e njerëzve qe ishin kthyer nga kufiri malazez gjatë fundjavës sepse nuk kishin testin e nevojshëm për të hyrë në Mal të Zi, por nuk morri përgjigje.
Në një bisedë joformale, u sqarua se këto të dhëna mblidhen "me dorë", sepse nuk ka regjistër elektronik dhe se mund të duhet më shumë kohë për të siguruar një përgjigje.