OBSH regjistron numër rekord të rasteve të reja me koronavirus 

Ilustrim

Organizata Botërore e Shëndetësisë ka raportuar një rekord prej 294 mijë e 237 raste reja me COVID-19 në 24 orët e fundit.

Në raportin e publikuar me 15 gusht, organi shëndetësor i Kombeve të Bashkuara bëri të ditur se në të gjithë botën janë 21 milionë të prekur.

Në të njëjtin dokument u raportuan 9 mijë e 985 vdekje të reja nga COVID-19, duke çuar numrin total në të gjithë botën 775 mijë e 786 vdekje.

Të dhënat e OBSH-së përfshijnë vetëm rastet e konfirmuara zyrtarisht dhe vdekjet. Si rastet e reja po ashtu edhe vdekjet, besohet se janë shumë më të larta.

Shifrat e fundit të OBSH-së vijnë kur Rusia raportojë afro 5 mijë raste të reja dhe në kohën kur Shtetet e Bashkuara po përballen me rënien e numrit të testimeve, që mund të ndikojnë në gjurmimin e infeksioneve.

Sipas projektit të gjurmimit të infeksionit të COVID-19, mesatarja e testimeve në ditë në ShBA është 9 për qind më e ulët se në fund të muajit korrik.

Që nga fillimi i pandemisë, zyrtarë shëndetësorë kanë bërë përpjekje që të zgjerojnë me shpejtësi testimet për të gjurmuar virusin dhe për ta parandaluar përhapjen.

Por, tash duket se mungojnë kërkesat për testime. Rënia e testimeve ka ndodhur pasi mesatarja pesë-ditore e rasteve të reja është në rënie, pasi ishte rritur në 68 mijë dy javë më parë në rreth 60 mijë sot.

Ekspertët shëndetësorë dyshojnë se shumë amerikanë nuk po bëjnë teste për shkak të radhëve të gjata të pritjes dhe vonesës së rezultateve të testimeve. Derisa të rinjtë që janë asimptomatikë ose që nuk kanë ndonjë sëmundje, nuk po bëjnë teste.