Mali i Zi ende e kërkon testin e koronavirusit për qytetarët e Kosovës

Foto ilustrim nga Mali i Zi.

Qeveria e Malit të Zi ka lëshuar një njoftim lidhur me hyrjen e qytetarëve të vendeve tjera në territorin e saj.

Banorët e Kosovës, Shteteve të Bashkuara, Serbisë, Shqipërisë, Bosnje dhe Hercegovinës si dhe Maqedonisë së Veriut, mund të hyjnë në Mal të Zi vetëm nëse posedojnë një test negativ sipas metodës PCR ose një rezultat pozitiv të antitrupave për koronavirusin e ri (IgG) përmes testit serologjik – Elisa.

Testi virologjik, me metodën PCR, përcakton nëse virusi është aktiv, kurse testi serologjik tregon nëse personi ka qenë i infektuar me koronavirus.

Testet duhet të jenë të lëshuara nga një laborator i licencuar dhe nuk duhet të jenë më të vjetra se 72 orë.

Në kuadër të lehtësimit të masave kundër pandemisë, autoritetet malazeze kanë vendosur të zgjasin orarin e punës për bizneset e hotelerisë, nga ora 24:00 sa ka qenë deri më tash, deri në 01:00.

Sipas Institutit të Shëndetit Publik në Mal të Zi numri i përgjithshëm i të infektuarve nga koronavirusi ka arritur në 3.930. Prej tyre 73 kanë vdekur.