Kuvendi miraton Ligjin për parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19

Kosovo: Kosovo Parliament

Kuvendi i Kosovës të premten, ka miratuar në lexim të dytë Ligjin për parandalimin dhe luftimin e pandemisë së COVID-19, i cili ishte i propozuar nga një grup prej gjashtë deputetëve, në krye me kryetaren e Kuvendit, Vjosa Osmani.

Ligji ka vetëm tetë nene. Në të thuhet se 'ligji ka për qëllim që të krijojë hapësirën e domosdoshme juridike për autoritetet me qëllim të luftimit dhe parandalimit të pandemisë”

Në Kosovë aktualisht lidhur me situatën e pandemisë veprohet në bazë të Ligjit për parandalimin dhe luftimin e sëmundjeve ngjitëse. Edhe dënimet në rast të mosrespektimit të vendimeve bazohen po në këtë ligj.

Në Ligjin për parandalimin dhe luftimin e sëmundjeve ngjitëse, nuk ka qenë e paraparë pandemia si COVID -19, rrjedhimisht disa deputetët të Kuvendit të Kosovës, por edhe juristët kanë kërkuar miratimin e një ligji të ri, i cili do të ishte më i përshtatshëm për rrethanat e krijuar me pandeminë.