Qeveria e Kosovës ka miratuar vendimin për mbulimin e sigurimit kufitar për qytetarët e Kosovës që jetojnë dhe punojnë në shtete të ndryshme të Evropës, dhe të huajt që hyjnë në territorin e Kosovës.
“Qeveria do të subvencionojë policën e sigurimit një mujore, të lëshuar brenda periudhës 01.08.2020 - 31.12.2020. Me po këtë vendim është themeluar Grupi punues ndërinstitucional për ndërmarrjen e masave të duhura dhe përgatitjen e kushteve për aplikim në kartonin e gjelbër”, thuhet në njoftimin e qeverisë.
Personat që hyjnë në Kosovë me auto-vetura duhet të paguajnë 15 euro për qëndrimin prej 15 ditësh. Ndërkaq, qëndrimi për një muaj kap vlerën e sigurimit prej 20 eurosh. Këto tarifa ndryshojnë nga kategoria e mjeteve motorike dhe periudha e qëndrimit në Kosovë.
Pagesa e sigurimit kufitar të auto-përgjegjësisë është e obliguar me ligj për të gjitha mjetet motorike me tabela të huaja, të cilat hyjnë në territorin e Republikës së Kosovës. Aty përfshihen edhe automjetet e diasporës së Kosovës.
Përpjekjet e autoriteteve në Kosovë për anëtarësim në Këshillin e Byrove Evropiane, që siguron Kartonin e Gjelbër, po sfidohen nga dy probleme thelbësore. Së pari, Kosova nuk është shtet anëtar i Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB) dhe së dyti, në Kosovë ka një numër të madh të automjeteve të paregjistruara, të cilat janë edhe të pasiguruara në qarkullim, çka e bën të pamundur sigurimin e Kartonit të Gjelbër.
Kartoni i Gjelbër, vërteton se një automjet përfiton në mënyrë të mjaftueshme nga mbulimi i përgjegjësisë nga sigurimi. Kështu, kur makina përfshihet në një aksident në territorin e një shteti ku vlen sistemi i Kartonit të Gjelbër, sigurimi mbulon koston (e lëndimit, dëmtimit, etj).
Hapen të gjitha pikat kufitare me vendet e rajonit
Qeveria e Kosovës në mbledhjen e mbajtur të premten ka miratuar edhe vendimin për hapjen e të gjitha pikave kufitare me vendet e rajonit, Shqipërinë, Serbinë dhe Maqedoninë e Veriut.
Pikat kufitare që do të hapen janë: Shishtavicë, Orshuq, Borje me Shqipërinë, Glloboqicë, Stanqiq me Maqedoninë e Veriu si dhe pika e kalimit kufitar në Bërnjak me Serbinë.
Qeveria e Kosovës më 1 qershor vendosi për rihapjen e kufijve tokësorë që ishin mbyllur qysh më 13 mars, për të frenuar përhapjen e koronavirusit.
Megjithatë përmes atij vendimi nuk ishin hapur të gjitha pikat kufitare me vendet e rajonit.
Qeveria ka sqaruar se mbeten në fuqi të gjitha masat që ishin miratuar më parë sa u përket hyrje-daljeve në territorin e Kosovës.