Nikoqirë të takimit të 2 shtatorit në Shtëpinë e Bardhë, ku do të takohen liderët e Kosovës dhe Serbisë, do të jenë këshilltari për siguri kombëtare, Robert O’Brien dhe i dërguari i presidentit amerikan për dialogun, Richard Grenell.
Kështu bëri të ditur për Radion Evropa e Lirë një zyrtar i lartë i administratës amerikane.
“Shtetet e Bashkuara mezi presin këto diskutime të rëndësishme ndërmjet kryeministrit Hoti dhe presidentit Vuçiq. SHBA-ja beson se përparimi në çështjet ekonomike është kyç në avancimin e procesit të paqes”, tha ky zyrtar për REL.
Të premten, Grenell bëri të ditur se udhëheqësit e dy vendeve do të takohen në Shtëpinë e Bardhë për negociata më 2 shtator.
Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq kanë konfirmuar se i janë përgjigjur pozitivisht ftesës së Grenellit për takim në Shtëpi të Bardhë më 2 shtator.
Të dy liderët kanë thënë se në këtë takim do të bisedohet për çështje ekonomike.
Ky është takimi i dytë i thirrur nga Grenelli.
I pari, i planifikuar për 27 qershor, ishte anuluar pak ditë para mbajtjes, meqë Zyra e Prokurorit të Specializuar me seli në Hagë kishte deklaruar se ka paraqitur një aktakuzë për krime lufte ndaj presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, i cili ishte i ftuar në takimin e Uashingtonit.
Megjithatë, dialogu mes këtyre dy shteteve ka rinisur më 16 korrik në Bruksel.
Ky proces, që ndërmjetësohet nga pala evropiane, ka nisur më 2011.
Ai ishte bllokuar nga nëntori i vitit 2018, pasi autoritetet e Kosovës patën vënë taksë në mallrat serbe.