Thaçi mirëpret organizimin e takimit Kosovë-Serbi në Uashington

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka mirëpritur organizimin e takimit mes Kosovës dhe Serbisë më 2 shtator në Shtëpinë e Bardhë.

“Mirëpres njoftimin për takimin në Shtëpinë e Bardhë për bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë. Ne jemi mirënjohës për dedikimin e madh të SHBA-së për paqe dhe stabilitet në rajon”, ka deklaruar Thaçi përmes një postimi në rrjetin social, Twitter.

Ai i ka bërë këto komente pas njoftimit për takim nga i dërguari i Shtëpisë së Bardhë për këtë dialog, Richard Grenell.

Nga pala kosovare, pjesëmarrjen e ka konfirmuar kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti i cili tha se në këtë takim do të bisedohet për “projekte madhore të bashkëpunimit ekonomik që do ta ndërrojnë perspektiven ekonomike të Kosovës dhe rajonit”.

Megjithatë, Grenell në postimin e tij në Twitter nuk ka dhënë detaje se për cilat tema do të bisedohet në këtë takim.

Ky është takimi i dytë që është organizuar nga Grenell.

I pari, i planifikuar për 27 qershor, ishte anuluar pak ditë para mbajtjes, meqë Zyra e Prokurorit të Specializuar me seli në Hagë kishte deklaruar se ka paraqitur një aktakuzë për krime lufte ndaj presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, i cili ishte i ftuar në takimin e Uashingtonit.

Megjithatë, dialogu mes këtyre dy shteteve ka rinisur më 16 korrik në Bruksel.

Ky proces, që ndërmjetësohet nga pala evropiane, ka nisur më 2011.

Ai ishte bllokuar nga nëntori i vitit 2018, pasi autoritetet e Kosovës patën vënë taksë në mallrat serbe.