Ministria e Shëndetësisë licencon nëntë laboratore tjera për teste serologjike

Ilustrim.

Ministria e Shëndetësisë në Kosovë ka njoftuar të mërkurën se ka licencuar edhe nëntë laboratore tjera për kryerjen e testeve serologjike për koronavirusin e ri.

Përmes këtyre testeve, kuptohet nëse një person ka tejkaluar këtë virus, si dhe nëse trupi ka krijuar antitrupa kundër tij.

Ministria ka thënë se shtrirja e laboratoreve është në shumë qytete të Kosovës, duke përfshirë Prishtinën, Podujevën, Gjakovën, Gjilanin, Malishevën e tjera.

Kjo Ministri u ka dhënë leje për të bërë teste për sëmundjen COVID-19, që shkakton koronavirusi edhe 29 laboratorëve tjerë ditë më parë.

Prej tyre, 27 janë licencuar për kryerje të testeve serologjike dhe dy të tjerë për kryerje të testeve PCR që përcaktojnë nëse virusi është aktiv, duke analizuar strishot nga hunda dhe fyti.

Kosovës të martën i janë​ shtuar 171 raste të​ reja me koronavirus, pas marrjes së​ 463 mostrave.

Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik (IKSHPK) ka njoftuar se janë regjistruar edhe 13 viktima, duke e çuar numrin total të të vdekurve me koronavirus në Kosovë në 354.

Sipas të dhënave të këtij Instituti të martën janë regjistruar edhe 190 raste që kanë mposhtur virusin, derisa raste aktive aktualisht janë 3,988.

Prej 13 marsit, kur janë regjistruar rastet e para me koronavirus në Kosovë, autoritetet shëndetësore kanë raportuar për 10,590 të prekur nga sëmundja Covid-19, që shkakton koronavirusi.