Qeveria e Libanit dorëhiqet pas shpërthimit në Bejrut

Pamje nga protestat në Liban

Kryeministri i Libanit, Hassan Diab, ka njoftuar të hënën për dorëheqjen e qeverisë që i takon atij, pas shpërthimit që ka ndodhur në Bejrut më 4 gusht, duke lënë të vdekur mbi 200 persona.

Përgjatë fjalimit të tij, ai ka thënë se u bashkohet thirrjeve të popullsisë për të mbajtur përgjegjës ata që kanë nxitur “këtë krim”.

Deri më tani, tre ministra kanë dhënë dorëheqje, ndërkohë që ka pasur thirrje për largim të tërë kabinetit qeveritar.

Shumë persona kanë akuzuar liderët e Libanit për këtë shpërthim, i cili besohet të ketë ndodhur si pasojë e neglizhencës dhe korrupsionit.

Presidenti dhe kryeministri kanë thënë se shpërthimi ka qenë rezultat i ndezjes së 2,750 tonëve të nitratit të amonit, i cili është ruajtur në mënyrë të pasigurt për gjashtë vjet në portin e Bejrutit.

Përgjatë fundjavës, protestuesit kundër qeverisë kanë hyrë në ndërtesat e disa ministrive dhe janë përleshur me policinë.

Ky shtet ka qenë duke u përballur me probleme të thella financiare edhe para shpërthimit, meqë shumë familje është thënë se përballen me uri dhe varfëri.

Disa agjenci të Kombeve të Bashkuara kanë paralajmëruar për krizë humanitare nëse ushqimi dhe kujdesi shëndetësor nuk sigurohen shpejt.

Donatorët ndërkombëtarë janë zotuar për dhënie të 297 milionë dollarëve si ndihmë për Libanin, përmes një samiti virtual të organizuar nga presidenti francez, Emmanuel Macron.