Qeveria afgane dhe militantët talibanë janë në prag të fillimit të bisedimeve të paqes, që synojnë t'i japin fund luftës gati dy dekadëshe në Afganistan.
Presidenti i Afganistanit, Ashraf Ghani, tha se ai do të miratojë lirimin e 400 militantëve talibanë.
Vendimi erdhi më shumë se pesë muaj pasi Uashingtoni dhe talibanët arritën marrëveshje, e cila përfshinte lirimin e të burgosurve nga të dyja palët.
Ky ishte edhe kushti kryesor për fillimin e bisedimeve midis grupit militant dhe qeverisë në Kabul.
Talibanët thonë se kanë liruar të gjithë 1.000 robërit që mbaheshin nga militantët.
Pasi të lirohen të burgosurit nga ana e qeverisë afgane, bisedimet do të fillojnë në Doha të Katarit, tha i dërguari i posaçëm i SHBA-së për Afganistanin, Zalmay Khalilzad.
"Palët do të fillojnë me një proces për të arritur një marrëveshje politike dhe një armëpushim të përhershëm dhe gjithëpërfshirës për t'i dhënë fund luftës afgane", tha ai.
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, i cili garon për rizgjedhje në nëntor, ka thënë vazhdimisht se dëshiron t'i japë fund luftës më të gjatë të Amerikës, e cila filloi pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001 në SHBA.