Gucati: Turqia ka liruar veteranin e UÇK-së

Hysni Gucati.

Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati, ka njoftuar se autoritetet e Turqisë e kanë liruar veteranin, Imri Ilazi.

Sipas Gucatit, Ilazi ishte ndaluar nga autoritetet turke në Aeroportin e Antalisë, pasi Serbia ka dërguar emrin e tij në INTERPOL.

“Sapo më njoftuan se është liruar Imri Ilazi nga organet turke. E falënderoj Ministrinë e Jashtme dhe Diasporës, Ministrinë e Brendshme në Kosovë dhe ambasadën e Kosovës në Turqi, Blerim Dajakun dhe Kushtrimin që ndihmuan në lirimin e ish-gjeneralit Imri Ilazi. Shpresojmë që raste të tilla mos të përsëriten”, ka shkruar Gucati.

Më 2 gusht, autoritetet në Kosovës njoftuan se një veteran i ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, u ndalua nga autoritetet e Shqipërisë, pasi Serbia kishte dërguar emrin e tij në INTERPOL. Por, më pas ai u lirua nga policia shqiptare.

Kosova nuk është pjesë e Organizatën Ndërkombëtare të Policisë (INTERPOL). Tentativat e Kosovës për anëtarësim në INTERPOL kanë nisur që nga viti 2010. Atë kohë, Komiteti Ekzekutiv i kësaj organizate, nuk e kishte marrë fare parasysh kërkesën e parashtruar nga Prishtina zyrtare. Më 2015 dhe 2016, Kosova kishte aplikuar, por nuk ishte futur në agjendën e Asamblesë së Përgjithshme. Më 2017, Kosova pati tërhequr vullnetarisht kërkesën, për shkak të mbështetjes së pamjaftueshme. Njëjtë kishte vepruar edhe më 2019.