Hoti thotë se për rastin në Karaçevë do të veprojnë sipas Kushtetutës

Kryeministri Avdullah Hoti.

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti thotë se organet përgjegjëse janë duke hartuar një raport lidhur me ngjarjen që ndodhi të premten, më 7 gusht, ku u raportua se xhandarmëria serbe hyri në territorin e Kosovës, përkatësisht në Komunën e Kamenicës.

Përmes një postimi në Facebook, Hoti tha se qytetarët e kësaj ane, nuk do të mbeten pa mbrojtjen e institucioneve të Kosovës.

"Veprimet tona do të jenë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjin, si dhe të koordinuara me të gjithë mekanizmat e sigurisë në vend", ka shkruar Hoti.

Më 7 gusht, në rrjetet sociale qarkulloi një video ku pretendohej se pjesëtarë të xhandarmërisë së Serbisë, kishin hyrë në fshatin Karaçevë, të Kamenicës.

Në një përgjigje me shkrim të Zyrës për informim të Policisë së Kosovës dërguar Radios Evropa e Lirë, thuhet se njësitet policore në Karaçevë, nuk kanë hasur ndonjë njësi apo siç është thënë për ushtri të Serbisë.

"Pas raportimit të një informacioni nga Karaçeva e Kamenicës, njësitet policore kufitare kanë reaguar menjëherë duke shkuar dhe patrulluar te vendi ku është raportuar rasti. Njësitet policore nuk kanë hasur në atë lokacion ndonjë njësi apo siç është informuar për ushtri të Serbisë. Njësitet policore kanë bërë shikimin e vendit sipas koordinatave si dhe kanë bërë patrullime dhe vëzhgime në atë zonë”, thuhet në përgjigjen e Policisë së Kosovës.

Policia e Kosovës, bën të ditur se po ashtu është njoftuar edhe KFOR-i, lidhur me këtë rast, pasi që mandatin e sigurisë së zonës së kufirit me Serbinë, ende e ka KFOR-i.

Fshati Karaçevë ndodhet në afërsi të zonës kufitare me Serbinë.