IKSHP-ja njofton për 16 viktima dhe 196 të infektuar nga koronavirusi

Qendra Klinike Universitare e Kosovës.

Kosova po vazhdon të regjistrojë shifra të larta të të infektuarve dhe të vdekurve me koronavirusin e ri, që shkakton sëmundjen COVID-19.

Të enjten, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike (IKSHPK) njoftoi se gjatë 24 orëve të fundit janë regjistruar edhe 196 raste të reja të të infektuarve.

Rezultatet janë në bazë të 475 testimeve.

Sipas IKSHPK, nga sëmundja kanë vdekur edhe 16 pacientë, duke çuar numrin e të vdekurve në 300.

Të shëruar janë konstatuar 134 pacientë.

Që nga muaji mars në Kosovë janë infektuar 9.688 persona, prej tyre 5.480 janë shëruar, ndërkaq raste aktive janë 3.908.

Më herët, Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, përmes një reagimi për media, ka kritikuar klasën politike në Kosovë për menaxhim të dobët të pandemisë së shkaktuar nga koronavirusi i ri.

Rritja e numrit të personave të vdekur dhe të të infektuarave, sipas ASHAK-ut, ka shndërruar Kosovën në një vend të izoluar që ka dështuar krejtësisht në menaxhimin e pandemisë.

“Kjo situatë e ka bërë Kosovën vend të izoluar, në të cilin kanë dështuar jo vetëm institucionet e shëndetit publik, të rendit dhe të ligjit dhe të mirëmbajtjes së shoqërisë, por edhe vetëdija qytetare, përgjegjësia kolektive dhe vlerat e emancipimit shoqëror”, thuhet në reagimin e ASHAK-ut.

Institucionet e Kosovës kanë vendosur së fundi disa masa për parandalimin e përhapjes së pandemisë.

Në kuadër të masave obliguese është vendosja e maskës në publik, si dhe reduktimi i stafit nëpër institucionet private dhe publike.
Një ndër masat në fuqi është edhe kufizimi i lëvizjes së qytetarëve në qytetet me rastet më të shumta.