Hyseni paralajmëron angazhim amerikan në dialogun Kosovë-Serbi

Koordinatori shtetëror i Kosovës në dialogun me Serbinë, Skender Hyseni.

Koordinatori shtetëror i Kosovës në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Skender Hyseni ka thënë për Zërin e Amerikës se Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të kenë përkushtim të paluhatur për dialogun që zhvillohet mes këtyre dy shteteve në Bruksel nga viti 2011.

Ai i ka bërë këto këto komente, pas takimit të zhvilluar me të dërguarin e Departamentit amerikan të Shtetit për Ballkanin Perëndimor, Matthew Palmer në Uashington.

“Ka një përkushtim të paluhatur në përkrahje të dialogut të filluar në Bruksel dhe një përkrahje të fuqishme për një marrëveshje gjithëpërfshirëse, të drejtë dhe të qëndrueshme, sa i përket normalizimit të raporteve midis Kosovës dhe Serbisë”, ka deklaruar Hyseni.

Sipas tij, dialogu mes të dyja shteteve duhet të finalizohet me njohje reciproke.

“Ne po punojmë ngushtë me SHBA që procesi i normalizimit të ecë shpejt deri në njohje të plotë reciproke, si dy shtete të pavarura dhe sovrane”, tha ai.

Madje Hyseni ka përmendur edhe mundësinë e përfshirjes së SHBA-së në dialog.

“Do të shohim hapa konkretë të kyçjes së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në dialog, krahas Bashkimit Evropian”.

Sa u përket dilemave rreth zhvillimit të dialogut në nivel teknik, koordinatori shtetëror i Kosovës ka thënë se “nuk ka asgjë teknike deri në përmbyllje të njohjes reciproke.

“Çdo gjë është skajshëm politike. Çdo gjë bart një dimension politik akut dhe ai dimension politik, akut duhet të adresohet dhe të zgjidhet ekskluzivisht në një marrëveshje gjithëpërfshirëse, që nënkupton njohje të ndërsjellë mes këtyre vendeve”, ka deklaruar ai.

Hyseni është nisur më 1 gusht në Uashington, pas bisedimeve të zhvilluara në nivel ekspertësh me palën serbe në Bruksel.

Serbia në këtë proces është përfaqësuar nga drejtori i Zyrës për Kosovës në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq.

Temë e diskutimit është thënë të kenë qenë të zhvendosurit dhe bashkëpunimi rajonal.

Kujtojmë se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë ka rinisur më 16 korrik të këtij viti.

Ky proces ishte pezulluar nga nëntori i vitit 2018, meqë autoritetet e Kosovës patën vënë taksë në importet e Serbisë.

Kjo masë ka qenë e papranueshme për autorotetet serbe, derisa heqjen e saj më vonë e ka mirëpritur edhe faktori ndërkombëtar, me qëllim të rikthimit të dialogut.