Konstituohet Kuvendi i Serbisë

Deputetët e Kuvendit të Serbisë gjatë betimit.

Në Serbi është bërë konstituimi i përbërjes së re të kuvendit.

Derisa seanca po mbahej, dhjetëra njerëz protestuan para ndërtesës së kuvendit, duke brohoritur se kjo legjislaturë nuk ka legjitimitet.

Kritikët dhe grupet e të drejtave të njeriut e akuzojnë presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, për shkelje të demokracisë së Serbisë duke ushtruar një ndikim të madh në institucionet shtetërore dhe mediat.

Opozita e Bashkuar e Serbisë gjithashtu tha se që nga 3 gushti, Serbia "zyrtarisht nuk ka parlament" sepse 250 parlamentarët e rinj nuk u zgjodhën në mënyrë ligjore.

Vuçiq ka mohuar në mënyrë të përsëritur ndërhyrjen në votime, duke thënë se kundërshtarët e tij kanë pak mbështetje popullore.

Protesta para ndërtesës së Kuvendit të Serbisë.

Me betimin e deputetëve, fillon afati prej 90 ditësh për formimin e Qeverisë së re.

Në zgjedhjet parlamentare në Serbi, lista e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, ka fituar më së shumti vende - 188 nga gjithsej 250.

Lista e Partisë Socialiste të Serbisë - Serbia e Bashkuar ka 32 deputetë, dhe Lidhja Patriotike Serbe (SPAS) 11 vende.

Katër parti të pakicave kanë siguruar ulëse në Kuvend.

Lidhja e Hungarezëve të Vojvodinës ka fitur nëntë deputetë, Lista e Muamer Zukorliq do të ketë katër deputetë, ndërsa SDA e Sanxhakut dhe Alternativa Demokratike Shqiptare - Lugina e Bashkuar kanë nga tre vende secila.

Zgjedhjet e përgjithshme janë mbajtur më 21 qershor.