Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti thotë se ekzekutivi që ai udhëheqë, mbetet i përkushtuar në dy prioritete: luftën kundër koronavirusit dhe rimëkëmbjen ekonomike.
Hoti, përmes një postimi në Facebook tha se të hënën mbahet mbledhja e Komitetit për menaxhimin e situatës së shkaktuar nga koronavirusi, që shkakton sëmundjen COVID-19, ku sipas tij, autoritetet do të angazhohen që të shtohen kapacitetet spitalore – shtimi i shtretërve – dhe po punojnë edhe për të rritur kapacitetet testuese.
Ndërkaq, sa i përket rimëkëmbjes ekonomike, Hoti tha se sapo të hyjë në fuqi Ligji për rishikimin e buxhetit do të ndahen mjetet financiare për qytetarët dhe bizneset, që janë paraparë në Pakon Emergjente Fiskale, që ishte miratuar nga qeveria e kaluar, e udhëhequr nga Albin Kurti.
“Presim që kuvendi të miratojë këtë javë edhe Ligjin për rimëkëmbje ekonomike, për të hapur rrugë për zbatimin e të gjithë Pakos për rimëkëmbje ekonomike”, tha Hoti.
Qeveria Hoti ka paraparë që në kuadër të buxhetit të rishikuar – që është miratuar javën e kaluar – të krijohet Pakoja për Rimëkëmbje Ekonomike, që është thënë se kap vlerën prej 385 milionë eurosh.
Kuvendi i Kosovës miraton projektligjin për buxhetin
Këto mjete të kësaj Pakoje për rimëkëmbje janë ndarë, siç kanë thënë nga qeveria, për të zbutur problemet ekonomike dhe sociale, që janë shkaktuar nga masat që Qeveria e Kosovës ka marrë për të parandaluar përhapjen e koronavirusit.
Ministrja e Financave, Hykmete Bajrami, më herët ka deklaruar për Radion Evropa e Lirë, se Pakoja për rimëkëmbje ekonomike, do të përfshijë disa masa siç është qasja e lirë e bizneseve në financa, dyfishim i subvencioneve, subvencionim i kamatave, kapitalizmi i fondeve për garanci kreditore dhe masat të tjera të cilat, të cilat, sipas Bajramit, do t’i mbulojnë ministri apo sektorë të caktuar.
Çfarë do të përfitojnë qytetarët dhe bizneset nga buxheti i rishikuar?
Kosova, që prej 13 marsit deri më 2 gusht, ka regjistruar 8,799 raste me koronavirus. Prej tyre, 249 pacientë kanë vdekur dhe 4,863 janë shëruar.
Vetë Hoti ka njoftuar të dielën, më 2 gusht, se ka dalë pozitiv për COVID-19 dhe se për dy javë do të qëndrojë i izoluar në shtëpi, prej ku dhe do të kryejë obligimet e tij si kryeministër.