Microsoft vazhdon bisedimet për blerje të TikTok-ut në SHBA

Ilustrim.

Microsoft, gjiganti i teknologjisë në Shtetet e Bashkuara, ka konfirmuar se është duke vazhduar bisedimet për blerje të operacioneve të aplikacionit kinez, TikTok në territorin amerikan.

Shefi i Microsoftit, Satya Nadella ka zhvilluar një bisedë me presidentin amerikan, Donald Trump rreth kësaj çështjeje, ka thënë kjo kompani.

Microsoft ka theksuar se “vlerëson rëndësinë” e shqetësimeve të Trumpit për këtë aplikacion.

Kjo pasi presidenti Trump ka thënë ditë më parë se planifikon të ndalojë aktivitetin e këtij aplikacioni në SHBA.

Mirëpo sipas Microsoftit, TikTok do bëjë një rishikim të politikave për sigurinë, si dhe është thënë se vetë Microsoft duhet t’i ofrojë qeverisë amerikane listën e “përfitimeve ekonomike” të shtetit nga arritja e marrëveshjes eventuale.

Kompania amerikane ka thënë se shpreson që të arrijë përfundime me kompaninë që menaxhon TokTok-un, ByteDance, deri më 15 shtator.

Microsoft ka thënë se është duke synuar të blejë shërbimet e TikTokut në SHBA, Kanada, Australi dhe Zelandë të Re.

Ajo ka thënë mes tjerash se “mund” të ftojë investitorë të tjerë amerikanë që të marrin pjesë në blerje në “baza të vogla”.