Institucionet, cak i sulmeve kibernetike në Maqedoninë e V.

Ilustrim

Shumë institucione të Maqedonisë së Veriut së fundmi janë bërë cak të sulmeve kibernetike.

Ndërkohë që akoma nuk ka asnjë informacion zyrtar se kush qëndron pas këtyre sulmeve, ekspertët thonë se është koha e fundit për instalimin e një sistemi të sofistikuar mbrojtës në sistemin e teknologjisë informative.

Së fundmi në shënjestër të sulmeve kibernetike ka qenë Ministria e Shëndetësisë dhe ajo e Arsimit, ndërkohë që vetëm para më pak se dy jave ishte sulmuar softueri i Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve pikërisht ditën e zgjedhjeve duke pamundësuar shfaqjen e rezultateve zgjedhore në kohë reale në ueb-faqe.

SHIKONI EDHE: Shkup: Nuk dihet kush e ka sulmuar faqen e rezultateve zgjedhore

Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Mane Piperevski, konsulent për siguri kompjuterike, thotë se duhet instaluar sa më parë një sistem i vetëm për mbrojtje nga sulme kibernetike.

Piperevski sqaron se ky sistem do të duhet që në vete të ngërthejë të gjitha shërbimet elektronike të institucioneve që janë pjesë e pushtetit qendror dhe atij lokal.

“Ne nuk posedojmë një mbrojtje të centralizuar të të gjitha institucioneve, nën një ombrellë. Kjo do të thotë se çdo institucion në formë vetanake realizon sistemin e sigurisë, qoftë me resurse të brendshme ose të jashtme dhe gjithsecila është përgjegjëse për sigurinë e institucionit vetë për vete. Që do të thotë se nuk mund të japim një vlerësim të përgjithshëm për sa i përket kapacitetit të Maqedonisë së Veriut si shtet, për sa i përket sigurisë nga sulmet kibernetike, sepse disa institucione kanë të instaluar sistemin me siguri më të lartë sesa disa të tjera”, thotë Piperevski.

Ndërkohë, duke folur për natyrën e sulmeve kibernetike ndaj institucioneve të shtetit brenda 10 ditëve të fundit, Mane Piperevski thotë se mund të kenë dhe prapavijë politike.

SHIKONI EDHE: Lajmet e rreme, sfidë për Maqedoninë e V. në integrimet euro-atlantike

“Sulmi që ndodhi duket se ka prapavijë politike, në mënyrë të drejtpërdrejtë është i ndërlidhur me zhvillimet politike në Maqedoninë e Veriut, megjithatë do të thosha se këto sulme kibernetike nuk i takojnë kategorisë së rrezikut të lartë, për faktin se nuk kanë ndërhyrë në sistemin ku ruhen të dhënat me karakter të besueshëm të të dhënave të klasifikuara për sa i përket organizimit të institucioneve përkatëse”, thekson Piperevski.

Por, Qebir Avziu, ish-zyrtar i lartë në dikasterin e policisë, thotë se sulmet kibernetike janë shpeshtuar për shkak të kapaciteteve të pamjaftueshme të institucioneve për sa i përket sigurisë nga sulmet kibernetike.

“Këto sulme kibernetike nuk mendoj se kanë ndonjë prapavijë politike, por thjesht hakerët synojnë të tregojnë se ky shtet në këtë drejtim për sa i përket kërcënimeve kibernetike, është i brishtë dhe i zbehtë. Në Ministrinë e Punëve të Brendshme të Maqedonisë së Veriut ekziston sektori i veçantë për luftimin e kriminalitetit kibernetik dhe forenzikës digjitale, mirëpo përgatitja e kuadrove në nivelin që bota e njeh në aspektin e teknologjisë informative është çështje tjetër, që le shumë për të dëshiruar”, thotë Avziu.

Ai shton se ata që punojnë në institucionet e shtetit, pasi profesionalizohen, braktisin punën për shkak të pagave të ulëta që ka sektori publik për inxhinierët e Teknologjisë Informative.

“Inspektorët, të cilët e luftojnë këtë lloj të kriminalitetit, janë dërguar për trajnim dhe edukim në vendet e tjera, por pasi të kenë zgjeruar njohuritë, atyre u ofrohen vende të tjera të punës ku paga është shumë më e lartë dhe këta e lënë punën në Ministrinë e Punëve të Brendshme për të punuar për kompani të tjera private”, shprehet Avziu.

Kohë më parë drejtori i Agjencisë për Zbulim, Erolld Musliu, për Radion Evropa e Lirë kishte theksuar se me projektligjin e ri për punën e Agjencisë së Inteligjencës, hapen më shumë mundësi për të gjurmuar rrjedhën e sulmeve kibernetike në përputhje me sfidat e kohës.

“Me projektligjin e ri do të pritet të definohet vendi dhe roli i Agjencisë për Zbulim si institucion me kompetenca në lëmin e zbulimit jashtë vendit, duke pasur si detyrë grumbullimin e të dhënave dhe informacioneve për kërcënimet asimetrike, ato hibride si dhe kërcënimet kibernetike që vijnë nga jashtë”, ka nënvizuar Musliu.