Kina urdhëron mbylljen e një konsullate amerikane

Flamuri i SHBA-së dhe ai i Kinës.

Kina ka urdhëruar mbylljen e konsullatës amerikane në qytetin jug-perëndimor të Chengdu.

Kina tha se masa ishte një "përgjigje e nevojshme" për SHBA-në, e cila në fillim të kësaj jave, urdhëroi Kinën të mbyllte konsullatën e saj në Hjuston.

Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, tha se vendimi i SHBA-së u mor sepse Kina po "vidhte" pronën intelektuale.

Tensionet janë rritur midis SHBA-së dhe Kinës për disa çështje kryesore, përfshirë tregtinë, të drejtat e njeriut, e të tjera.

Mbyllja e konsullatës amerikane ishte një "përgjigje e ligjshme dhe e nevojshme ndaj veprimeve të paarsyeshme të bëra nga Shtetet e Bashkuara", tha ministri i Jashtëm i Kinës në një deklaratë.

"Situata aktuale midis Kinës dhe Shteteve të Bashkuara është diçka që Kina nuk dëshiron ta shohë, dhe SHBA mbajnë të gjithë përgjegjësinë për këtë", tha ai.

Konsullata amerikane në Chengdu, e cila është themeluar në vitin 1985 dhe aktualisht ka më shumë se 200 anëtarë të stafit, ka një rëndësi strategjike për shkak të afërsisë së saj me Tibetin.