Mbi 240 raste të reja me koronavirus në Kosovë; 6 të vdekur

Prishtinë

Në Kosovë, gjatë 24 orëve të fundit, u regjistruan edhe 241 raste me koronavirus, bëri të ditur Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës.

Rastet e reja rezultuan nga testimi i 419 mostrave dhe numrin më të madh të tyre e ka Komuna e Prishtinës: 86 raste.

Sipas njoftimit të IKSHPK-së, gjashtë pacientë kanë humbur jetën.

Shifra e përgjithshme e viktimave një ditë më parë ka qenë 144, ndërsa sot është 150.

IKSHPK-ja tha se në 24 orët e fundit në Kosovë janë shëruar 143 pacientë nga koronavirusi, me të cilët numri i përgjithshëm i të shëruarve arrin në 3,369.

Kosova i ka regjistruar rastet e para me koronavirus më 13 mars.

Që atëherë janë konfirmuar gjithsej 6,286 raste pozitive.

Aktive aktualisht janë 2,762 raste.