SHSKUK: Po trajtohen 541 pacientë, 291 të konfirmuar me COVID-19

Stafi mjekësor në Klinikën Infektive.

Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës (SHSKUK) ka njoftuar se në Qendrën Klinike Universitare (QKUK) dhe në spitalet e përgjithshme rajonale po trajtohen 541 pacientë, prej të cilëve 291 janë raste të konfirmuara me COVID-19 ndërsa 250 ende janë të pritje të konfirmimit.

Në njoftim theksohet se në trajtim me respiratorë janë 16 raste ndërsa me oksigjenoterapi 295 pacientë.

Më herët Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike ka njoftuar se gjatë 24 orëve të fundit në Kosovë kanë vdekur edhe 5 pacientë nga sëmundja COVID-19, që e shkakton koronavirusi i ri.

Numri i përgjithshëm i viktimave ka arritur në 144. Një ditë më herët ishte raportuar për 139 vdekje.

Në njoftimin e IKSHPK-së bëhet e ditur se nga 415 mostra të testuara, 168 kanë dalë pozitive në koronavirus. Kjo shifër e rrit numrin e përgjithshëm të të infektuarve në 6.045.

Gjatë 24 orëve të fundit janë shëruar edhe 157 pacientë duke e çuar numrin e përgjithshëm të të shëruarve në 3.226.

Raste aktive me koronavirusin e ri aktualisht janë 2.675.

Në Kosovë rastet e para janë shënuar në mesin e muajit mars.