Orban fajëson kryeministrin holandez për fondin e rimëkëmbjes së BE-së

Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban. Foto nga arkivi.

Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban tha sot se lideri i Holandës, Mark Rutte është përgjegjës për bllokimin e samitit të Bashkimit Evropian, ku liderët e bllokut, për të tretën ditë me radhë po diskutojnë për buxhetin dhe për një fond të rimëkëmbjes ekonomike pas pandemisë së koronavirusit.

“Nuk e di nëse ka arsye personale kryeministri holandez, nëse më urren mua apo Hungarinë, por ai po sulmon shumë ashpër”, u tha Orban gazetarëve në Bruksel.

“Nuk më pëlqen t’ia vë fajin dikujt, por ‘holandezi’ (v.j. referencë për Mark Rutte), është përgjegjësi kryesor për gjithë këtë”, tha Orban.

Orban, nacionalist i krahut të djathtë, që udhëheqë me Hungarinë për një dekadë, ka pasur përplasje të shpeshta me zyrtarët e BE-së dhe shtetet e tjera anëtare të Bashkimit Evropian.

Një grup i shteteve veriore të BE-së, që po udhëhiqen nga Holanda, kanë bllokuar procesin, që të arrihet një marrëveshje për fondin e rimëkëmbjes në vlerë prej 750 miliardë eurosh. Këto para është thënë se do t’iu jepen shteteve të BE-së që janë goditur më së keqi nga pandemia e koronavirusit, përmes formës së granteve dhe borxheve.

Ky grup që po udhëhiqet nga Holanda, po kërkon më shumë kontroll mbi shpenzimin e këtij fondi, duke shtuar se nëse shtetet nuk plotësojnë standardet demokratike, atëherë BE-ja duhet t’ua tërheqë ndihmën.

Në samitin e BE-së, vendet anëtare po ashtu po diskutojnë për buxhetin shtatëvjeçar të bllokut, që kap shifrën prej 1,85 trilion eurove.