Inspektorati Sanitar i Kosovës njoftoi më 17 korrik se gjatë katër ditëve të kaluara ka kryer 1398 inspektime, për të parë nëse po zbatohet masat e qeverisë së Kosovës për parandalimin e përhapjes së koronavirusit të ri.
Gjatë kësaj periudhe, inspektorët sanitarë kanë lëshuar 387 gjoba për personat fizik, që nuk kanë respektuar masat kundër pandemisë.
“Në vazhdën e inspektimeve, Inspektorati Sanitar për katër ditë të inspektimeve kanë kryer 1398 inspektime. Tek subjektet afariste, kemi shqiptuar 387 gjoba për personat fizik, 29 gjoba për subjekte juridike, 371 vendime për izolim, 29 vendime për të shëruar dhe kemi mbikqyrë 25 varrime të personave që kanë vdekur nga sëmundja COVID-19”, tha kryeinspektori sanitar, Ibrahim Tërshnjaku, në një konferencë për media në Prishtinë.
Your browser doesn’t support HTML5
“Ne nuk do të zmbrapsemi nga kontrollet për respektimin e vendimit të qeverisë së Kosovës. Sepse kështu do ta mundim COVID-19”, tha Tërshnjaku.
Qeveria e Kosovës në mbledhjen e 13 korrikut ka miratuar masa shtesë për të frenuar përhapjen e sëmundjes COVID-19, që shkakton koronavirusi i ri.
Nga ajo datë, të gjithë banorët e Kosovës obligohen që të bartin maskat për fytyrë në të gjitha aktivitetet jashtë shtëpive apo banesave të tyre, si dhe të mbajnë distancë fizike prej 2 metra në ambiente të përbashkëta jashtë shtëpive/banesave të tyre.
Sipas këtij vendimi të qeverisë, është pezulluar veprimtaria në kopshte publike dhe private; aktivitetet rekreative, kulturore dhe sportive. Po ashtu është pezulluar puna në tregjet publike, të automjeteve dhe tregjet e kafshëve.
Me masat e reja ndalohet grumbullimi i më shumë se 5 personave në sheshet publike, parqe dhe të ngjashme.
Ndërkaq, të gjithë operatorët e shërbimeve komunale, financiare, elektronike dhe postare janë të obliguar që të ofrojnë shërbime me orar dhe staf minimal.
Është miratuar edhe vendimi për ndërmarrjen e masave për qarkullimin e personave fizikë jashtë shtëpive apo banesave të tyre në disa komuna të vendit.
Që nga fillimi i muajit mars dhe deri më 16 korrik në Kosovë janë regjistruar 124 viktima nga COVID-19. Numri i përgjithshëm i të infektuarve në Kosovë shkon në 5.472. Aktualisht raste aktive janë: 2708.
Më 16 korrik janë shëruar 95 pacientë, derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve është 2.640.