Shtetet e Bashkuara thyen rekordin e tyre ditor të rasteve të reja me koronavirus, duke regjistruar të enjten mbi 77,000 të tilla, ndërkohë që numri i viktimave shkoi në gati 1,000.
Florida, Karolina e Jugut dhe Teksasi regjistruan numrin më të madh të të vdekurve, duke iu bashkuar shtatë shteteve të tjera me numër rekord viktimash, këtë javë.
Rastet e koronavirusit vazhdojnë të shtohen në jug dhe perëndim të Shteteve të Bashkuara, spitalet janë duke u mbushur dhe ka frikë se një numër më i madh i viktimave do të pasojë.
SHIKONI EDHE: COVID-19 rrit shqetësimet për sigurinë ushqimoreNë zonat e goditura rëndë përreth Fineksit në Arizona dhe San Antonios në Teksas, zyrtarët kanë sjellë ftohës për të ruajtur kufomat, pasi morgët kërcënojnë të mbushen.
Kështu kanë bërë edhe komunitetet më të vogla në kufirin Teksas-Meksikë.
Gati një e treta e më shumë se 3,400 viktimave që janë regjistruar në Teksas që nga fillimi i pandemisë, janë raportuar vetëm në korrik.
Në aspektin mbarëkombëtar, numri mesatar i të infektuarve në ditë është trefishuar nga rreth 22,000 sa kanë qenë në muajin maj.
Përqindja e rezultateve të testeve që kthehen pozitive është 8.8 në të gjithë SHBA-në dhe në disa vende është deri në 20 për qind.
Ekspertët e sëmundjeve infektive e konsiderojnë shqetësuese shkallën mbi 5 për qind.
SHIKONI EDHE: Fauci pret që SHBA-ja ta ketë vaksinën kundër koronavirusit në fund të 2020-ësNë total, gati 3.6 milionë të infektuar dhe mbi 138,000 viktima janë regjistruar në SHBA, prejse pandemia ka arritur atje në fillim të këtij viti.
Me këto shifra, SHBA-ja është vendi më i goditur në botë. Pas saj, me numër të të infektuarve vijnë Brazili, India dhe Rusia, ndërsa me numër të viktimave Brazili, Mbretëria e Bashkuar dhe Meksika.
Pas paralajmërimeve të zyrtarëve shëndetësorë se numri ditor i të infektuarve mund të arrijë në 100,000 së shpejti, shumë shtete amerikane i kanë pezulluar planet për rihapjen e plotë të ekonomive të tyre.
Gjysma e 50 shteteve amerikane e kanë bërë tani të detyrueshme veshjen e maskave, pasi gjithnjë e më shumë prova janë duke treguar se përdorimi i tyre mund të zvogëlojë përhapjen e virusit.
SHIKONI EDHE: A mund të infektohemi dy herë me koronavirus?Në shtetet ku ato nuk janë të detyrueshme, shumë qeveri lokale dhe ndërmarrje u kërkojnë amerikanëve që t’i vendosin maskat në publik.
Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins, koronavirusi në gjithë botën ka prekur mbi 13.8 milionë njerëz.
Prej tyre, gati 590,000 kanë vdekur dhe mbi 7.7 milionë janë shëruar.
Përgatiti: Valona Tela