I dërguari i Posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, paralajmëroi një raund të ri bisedimesh të nivelit të lartë mes Kosovës dhe Serbisë, në fillim të muajit shtator.
Ai tha se për këtë janë pajtuar kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, gjatë bisedimeve që kanë pasur të enjten në Bruksel.
Lajçak, i cili e ka ndërmjetësuar dialogun, konfirmoi se bisedimet janë fokusuar në çështjen e personave të pagjetur dhe të zhvendosur si dhe zhvillimin ekonomik.
Ai tha se të dyja vendet duhet të punojnë ngushtë me Kryqin e Kuq Ndërkombëtar për të zgjidhur çështjen e personave të pagjetur.
“Jam i kënaqur që pas prezantimit fillestar të qëndrimeve të dy liderët janë pajtuar që dialogu të vazhdojë në nivel të ekspertëve gjatë javës së ardhshme këtu në Bruksel”, tha Lajçak.
Kryeministri Hoti dhe presidenti Vuçiq kanë thënë pas takimit se bisedimet për këto dy tema kanë qenë të vështira.
Ky ishte takimi i parë i drejtëpërdrejtë i përfaqësuesve të Kosovës dhe Serbisë në kuadër të dialogut të Brukselit, pas më se 20 muajsh.
Dialogu në Bruksel filloi në mars të vitit 2011. Ideja ka qenë të diskutohen çështjet teknike që do ta bënin më të lehtë jetën e përditshme për qytetarët e Kosovës dhe ata të Serbisë.
Në tetor të vitit 2012, procesi kaloi në nivelin politik.
Dialogu është ndërprerë në fund të vitit 2018, për shkak të një takse që u ka vënë Qeveria e atëhershme e Kosovës prodhimeve të importuara nga Serbia.
Taksa më vonë është zëvendësuar me masa reciprociteti, por këto të fundit janë hequr me ardhjen e Hotit në pushtet, për të mundësuar, siç është thënë, vazhdimin e dialogut.