Përleshje vdekjeprurëse në kufirin Azerbajxhan-Armeni

Ana armene e kufirit

Shtatë ushtarë të Azerbajxhanit, përfshirë një gjeneral, dhe katër ushtarë të Armenisë u vranë në përleshjet e fundit kufitare me artileri të rëndë.

Dy vendet fqinje, që kanë zhvilluar një luftë në vitet 1990 për kontrollin e rajonit të Nagorno Karabakut, e fajësuan njëra-tjetrën për nisjen e përleshjeve që zgjasin tash e tre ditë.

Në total, 16 njerëz janë vrarë prejse ka nisur shkëmbimi i zjarrit në pjesën veriore të kufirit.

Dy vendet kanë qenë të bllokuara në konfliktin mbi rajonin e shkëputur të Azerbajxhanit, Nagorno Karabak, për vite me radhë.

Por, përplasjet e fundit janë larg Nagorno Karabakut dhe direkt midis dy vendeve - gjë që ndodh rrallë.

Presidenti i Azebajxhanit, Ilham Aliyev, tha se “udhëheqja politike dhe ushtarake e Armenisë do ta mbajë gjithë përgjegjësinë për provokimin”.

Kryeministri armen, Nikol Pashianin, e akuzoi Azerbajxhanin për "provokime" dhe tha se ato nuk do të kalojnë pa përgjigje.

Kombet e Bashkuara, Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara dhe Rusia kanë bërë thirrje për përmbajtje.

Përplasjet vijnë disa ditë pasi Aliyev ka ngritur mundësinë e një lufte të re me Armeninë dhe ka dënuar bisedimet e ngecura për paqe.

Më 7 korrik, ai ka kërcënuar se do të tërhiqet nga negociatat “nëse ato nuk japin rezultate”.

Aliyev nuk ka dhënë më shumë detaje.

Nagorno Karabaku, i banuar me shumicë armene, ka shpallur pavarësinë nga Azerbajxhani në mes të luftës së viteve 1988-1994, e cila ka marrë mbi 30,000 jetë njerëzish.

Që nga viti 1994, ai është nën kontrollon e forcave etnike armene, që Azerbajxhani thotë se përfshijnë trupat e furnizuara nga Armenia.

Pretendimi i rajonit për pavarësi nuk është njohur nga asnjë vend.

Negociatat që përfshijnë Grupin e Minskut të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, të bashkëkryesuar nga Rusia, Shtetet e Bashkuara dhe Franca, kanë ndihmuar për të krijuar një armëpushim në rajon, i cili nuk respektohet gjithmonë, por kanë dështuar të prodhojnë zgjidhje të qëndrueshme të konfliktit.