Vaksina e SHBA-së kundër COVID-19 jep shenja premtuese

Firma bioteknike amerikane Moderna

Firma bioteknike amerikane Moderna tha se vaksina e saj eksperimentale kundër sëmundjes që e shkakton koronavirusi, COVID-19, ishte e padëmshme dhe nxiti përgjigje imune te të 45 vullnetarët e shëndetshëm, që morën pjesë në një studim të fazës së hershme.

Qeveria e Shteteve të Bashkuara e mbështet vaksinën e Modernas, e cila së shpejti do të hyjë në fazën e fundit të testimit klinik.

Moderna tha se synon të regjistrojë rreth 30,000 njerëz për testimin e fazës së tretë që nis më 27 korrik.

Dhjetëra vaksina kundër COVID-19 janë në faza të ndryshme të testimit në gjithë botën.

Anthony Fauci, drejtor i Institutit Kombëtar të SHBA-së për Alergji dhe Sëmundje Infektive, ka shprehur “optimizëm të kujdesshëm” se së paku një vaksinë do të mund të zhvillohet deri në fund të këtij viti apo në fillim të vitit 2021.

Koronavirusi ka prekur mbi 13.3 milionë njerëz në gjithë botën.

Prej tyre, mbi 578,000 kanë vdekur dhe mbi 7.3 milionë janë shëruar.

Vendet më të prekura janë Shtetet e Bashkuara dhe Brazili, që kanë numrin më të madh të të infektuarve dhe viktimave në botë.

Në Evropë, vendi më i prekur është Mbretëria e Bashkuar.