Me një video-konferencë që zhvillohet të dielën, nën organizim të Bashkimit Evropian, rifillon dialogu në nivelin e lartë mes Kosovës dhe Serbisë.
Përfaqësuesi i lartë për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrel, në fjalimin e tij hyrës, tha se qëllimi i Bashkimit Evropian është të arrihet një marrëveshje ligjërisht e obligueshme e cila është tejet e rëndësishme për sigurinë dhe stabilitetin e rajonit, por edhe vet Bashkimin Evropian.
"Qëllimi ynë është i qartë, të fillojmë me punë serioze për normalizimin e marrëdhënieve me të dyja palët. BE-ja ka qenë dhe do të vazhdojë të jetë lehtësues i përpjekjeve për të arritur një marrëveshje ligjërisht të obligueshme. Marrëveshja është thelbësore për sigurinë dhe stabilitetin e rajonit, po ashtu është edhe për vet Bashkimin Evropian".
"Ne e dijmë se nuk është proces i lehtë, nuk ka qenë asnjëherë, por duhet të punojmë për të ardhmen e përbashkët. Kjo kërkon vullnet politik nga të dyja palët dhe angazhim, nuk ka qenë asnjëherë e lehtë", tha Borrel.
Nga shërbimi i veprimit të jashtëm të BE-së (EEAS) është njoftuar se Përfaqësuesi i lartë për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrel, dhe i dërguari i posaçëm për dialog Miroslav Lajçak, së pari do të kenë biseda me njërën palë, pastaj me tjetrën për të mbajtur në fund një konferencë të përbashkët të kryeministrit të Kosovës Avdullah Hoti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
BE vlerëson se me këtë takim shënohet rifillimi i dialogut pasi takime në nivelin e lartë nuk ka pasur që nga viti 2018.
Për t'i inkurajuar palët që të përfshihen në mënyrë konstruktive në dialog, të premten ishte zhvilluar një samit virtual mes kryeministrit të Kosovës dhe presidentit të Serbisë me ndërmjetësimin e presidentit të Francës Emanuel Macron dhe kancelares Gjermane Angela Merkel.
Në këtë takim palët kishin paraqitur qëndrimet e tyre. Diplomatët në Bruksel, të njoftuar edhe me përmbajtjen e konferencës së nivelit të lartë nga 10 korriku, thonë se nuk do të jetë e lehtë të arrihet marrëveshja pasi është qartë se palët janë shumë larg në qëndrimet e tyre.
Por, ata besojnë se BE-ja është në pozitën më të mirë për të ndërmjetësuar arritjen e një marrëveshjeje.
“Synimi ynë është që sa më shpejt të arrihet një marrëveshje për normalizimin gjithëpërfshirës të raporteve, përfshirë edhe me një dokument ligjërisht obligues. Për të arritur këtë, në tryezë duhet të shtrohen të gjitha çështjet e hapura mes palëve”, ka thënë një zyrtar i BE-së.
Takimi i së dielës është dashur të zhvilohej në Bruksel me praninë fizike të kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Por, ky takim është shtyrë për datën 16 korrik në Bruksel. Ndonëse në BE nuk kanë përmendur zyrtarisht arsyet e shtyerjes së këtij takimi, dhe zhvillimin e tij vetëm përmes video-konferencës, burimet diplomatike në Bruksel kanë thënë se një shtyerje të tillë e ka kërkuar Qeveria e Kosovës.
Grenell: Kosova e Serbia e meritojnë vëmendjen e BE-së
Për Bashkimin Evropian është me rëndësi që të shënohet rifillimi i dialogut të dielën e kjo të konfirmohet të enjten. Pastaj, palët do të kenë një periudhë gjatë së cilës duhet të përgatiten dhe të dakordojnë një agjendë sipas së cilës do të punohej në vjeshtë.
Zyrtarët e BE-së vazhdojnë të pohojnë se situata e brendshme në Kosovë dhe tensionet në Serbi për shkak të protestave të ditëve të fundit nuk ndikojnë në agjendën e dialogut sepse, siç thonë “janë gjëra të ndara”.
Por një numër i konsiderueshëm i diplomatëve me të clët ka biseduar Evropa e Lirë kanë thënë se suksesi i dialogut gjithsesi do të varet edhe nga situata e brendshme si në Kosovë ashtu edhe në Serbi.