Seanca e Kuvendit të Kosovës në të cilën po diskutohej projektligji për rishikimin e buxhetit të Kosovës, të premten në mbrëmje, u ndërpre pas një përplasjeje verbale në mes të deputetit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Xhavit Ukaj dhe kryetares së Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani.
Më pas, Osmani përmes një statusi në rrjetin social Facebook tha se Kuvendi i kthehet punës të hënën në ora 14:00. Ajo njoftoi se ndaj deputetit Ukaj ka hapur rast në polici.
"Ndaj deputetit që më ka kërcënuar fizikisht dhe me gjuhë banale të paprecedent për një institucion si Kuvendi, kam hapur rast në polici. Nuk lejoj asnjë person të papërgjegjshëm të më pengojë në kryerjen e detyrës zyrtare në përputhje me rregulloren e Kuvendit”, ka shkruar Osmani.
Ndaj incidentit ka reaguar edhe Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), i cili monitoron punën e Kuvendit të Kosovës.
“KDI dënon gjuhën dhe sjelljet joparlamentare të deputetëve ndaj Kryetares së Kuvendit. KDI vlerëson që me sjelljen dhe veprimet e tyre, deputetët kanë penguar Kryetaren e Kuvendit për të ushtruar funksionet e saj, të përcaktuara me Rregulloren e Punës, duke shkaktuar dhe ndërprerjen e punimeve të seancës”, thuhet në reagimin e Institutit.
Mosmiratimi i projektligjit të buxhetit nga ana e Kuvendit pamundëson zbatimin e Pakos Emergjente nga ana e qeverisë së Kosovës.
Këtë e ka thënë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, më 3 korrik, ministrja e Financave Hykmete Bajrami.
Në Pakon Emergjente Fiskale – e cila është në vlerë prej rreth 180 milionë eurosh –ndër të tjera është paraparë që punëtorët që kanë humbur vendin e punës, pas shpalljes së masave emergjente për shkak të pandemisë së koronavirusit, të përfitojnë nga 170 euro për dy muaj (prill dhe maj). Deri më tani, është arritur të bëhët pagesa vetëm për një muaj.
Nga Pakoja fiskale deri më tani janë shpenzuar 80 milionë euro. Në dispozicion Kosova i ka rreth vetëm 1.5 milion euro për të disbursuar.
Mosmiratimi i buxhetit rrezikon edhe falimentimin e bizneseve, kanë thënë përfaqësues të bizneseve.
Drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se bizneset nuk kanë marrë ndihmën e premtuar nga Pakoja emergjente fiskale dhe se kjo duhet t'ju mundësohet sa më shpejtë.
“Sektori privat po ballafaqohet më vështirësi në likuditet. Bizneset kanë nisur më vështirësi periudhën pas heqjes së masave kufizuese, qasja në financa mbetet e vështirësuar dhe ata ballafaqohen me rënie të të hyrave si pasojë e reduktimit të konsumit dhe ndërprerjes së aktiviteteve. Projektligjit për rishikim të buxhetit duhet të miratohet. Deputet duhet të lënë anash mospajtimet e tyre politike”, thotë Zeka.