Kosovë: Paralajmërohen masa të rrepta kundër pandemisë

Prishtina gjatë kohës së pandemisë.

Qeveria e Kosovës ka paralajmëruar marrjen e masave të rrepta kundër përhapjes së koronavirusit të ri që e shkakton sëmundjen COVID-19.

Komitetit për koordinimin dhe vlerësimin e situatës emergjente me koronavirus ka diskutuar të premten në mbrëmje për situatën epidemiologjike në vend.

“Meqenëse ditëve të fundit numri i të infektuarve është shtuar së tepërmi, madje duke pasur pasoja të rënda edhe me jetë njerëzish, nga diskutimet e pjesëmarrësve doli se Qeveria dhe institucionet e tjera të vendit nuk mund ta përjashtojnë as marrjen e masave më të rrepta të kufizimit të lëvizjes së qytetarëve”, thuhet në një njoftim të qeverisë.

SHIKONI EDHE: Në fillim të korrikut mbi 30 mijë pasagjerë frekuentuan Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka kërkuar nga të gjitha institucionet, si në nivelin qendror, ashtu edhe në atë lokal, t’i bashkërendojnë veprimet e tyre, në mënyrë që qytetarët të informohen për masat mbrojtëse të parapara me vendimet e Qeverisë se Republikës së Kosovës, si dhe me udhëzimet e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike.

“Në këtë takim, kryeministri Hoti, theksoi vendosmërinë e Qeverisë së Kosovës për të ndërhyrë kudo që ka nevojë me pajisje teknike, qoftë me shtimin e numrit të personelit shëndetësor, në mënyrë që pacientëve të shtrirë në spitalet e Kosovës t’u ofrohet e gjithë ndihma e nevojshme profesional dhe kujdesi human për të cilin ata kanë nevojë”, thuhet në njoftim.

SHIKONI EDHE: OBSH: Transmetimi i koronavirusit përmes ajrit ka qenë gjithmonë një shqetësim

Ndërkohë në një intervistë për televizionin Klan Kosova, kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se të dielën do të zhvillohet një takim i Këshillit të Sigurisë ku pritet të vendoset nëse duhet të shpallet Gjendja e Jashtëzakonshme ose jo.

Cila është gjendja epidemiologjike?

Tre persona kanë vdekur nga koronavirusi i ri gjatë 24 orëve të fundit në Kosovë, duke e çuar numrin e përgjithshëm të viktimave në 97.

Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik (IKSHPK) ka njoftuar se janë regjistruar edhe 205 raste të reja me koronavirus pas testimit të 388 mostrave.

Numri i përgjithshëm i të infektuarve ka arritur në 4.512, kurse numri i rasteve aktive është 2.259.

Sipas IKSHPK-së, edhe 61 pacientë janë shëruar nga sëmundja.

Bazuar në raportin 24 orësh nga klinikat e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) dhe 7 spitalet e përgjithshme janë të shtrirë 282 pacientë të konfirmuar pozitiv me COVID-19.

Në QKUK 160 pacientë, kurse 122 në spitalet e përgjithshme.

Prej tyre, 103 në Klinikën Infektive, 39 në Pulmologji dhe 17 në njësinë intensive të Mjekësisë Sportive.

Prej numrit total të pacientëve, 122 pacientë janë me oksigjenoterapi në QKUK, kurse 69 në spitalet e përgjithshme.

Në gjendje kritike janë 17 pacientë me COVID-19 e 4 prej tyre të intubuar.