Kuvendi pa kuorum për ratifikimin e marrëveshjeve ndërkombëtare financiare

Kuvendi i Kosovës. Foto nga arkivi.

Kuvendi i Kosovës ka dështuar që të ratifikojë disa marrëveshje ndërkombëtare financiare, për shkak të mungesës së kuorumit.

Të pesë marrëveshjet morën vetëm 75 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim. Por, për ratifikimin e marrëveshjeve ndërkombëtare, është e nevojshme mbështetja e 2/3 të deputetëve të kuvendit apo 80 vota.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave, pesë marrëveshjet ndërkombëtare janë në vlerë prej 253 milionë eurosh dhe do të ndihmonin Kosovën në përballimin e situatës shëndetësore dhe ekonomike të shkaktuar nga pandemia e koronavirusit.

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani tha se për të njëjtat marrëveshje do të votohet një ditë tjetër. Ajo madje përmendi edhe ndryshimet në Rregulloren e Punës së kuvendit, ku përmes miratimit të një amendamenti, do t’u lejohej që deputetët të votonin online.

Ministrja e Financave, Hykmete Bajrami mbështeti këtë ide të kryeparlamentares Osmani.

Bajrami tha se këto marrëveshje do të miratoheshin gjatë kësaj seance, por në mesin e deputetëve të kuvendit, ka edhe raste me koronavirus, dhe të njëjtit deputetë janë të vetizoluar dhe nuk mundur që të votojnë sot. Andaj ajo kërkoi që sa më parë kuvendi të votojë ndryshmet në Rregulloren e Punës, me qëllim që legjislativi të votojë këto marrëveshje, por edhe rishikimin e buxhetit të vendit, i cili pritet t’i vijë kuvendit për votim shumë shpejt.

Gjatë seancës së sotme, kuvendi dështoi që të ratifikojë Marrëveshjen për financim ndërmjet Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim për Projektin e Fuqizimit të Sektorit Financiar.

Po ashtu nuk u ratifikua Marrëveshja për hua ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim për Projektin e Zhvillimit të ujërave të zeza në Komunë e Gjilanit.

Tjerë marrëveshje që kërkon 80 vota të deputetëve është Marrëveshja për financimin e projektit për kadastër të patundshmërisë dhe infrastrukturë hjeohapësinore ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim.

Në rend dite të kuvendit, ishte Marrëveshja Marrëveshjes ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Kosovës mbi pjesëmarrjen e Kosovës në Programin e Bashkimit “Dogana 2020”, që nuk u ratifikua për shkak të kuorumit. Edhe Marrëveshja Marrëveshjes ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Kosovësmbi pjesëmarrjen e Kosovës në Programin e Bashkimit “Fiskalis 2020”, nuk u ratifikua dhe e njëjta do të dalë sërish për votim para deputetëve të Kuvendit të Kosovës.