Shtatë anëtarë të grupit të ekspertëve të pavarur për procesin e vetting-ut në sistemin e drejtësisë në Kosovë dhanë dorëheqje.
Ata e bënë të ditur këtë përmes një letre që i kanë dërguar ministrit të Drejtësisë, Selim Selimi, dhe kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti.
Për vetting-un në drejtësi, apo procesin e verifikimit të prokurorëve dhe gjyqtarëve, u kërkua ndihma e një grupi të ekspertëve të pavarur, të cilët do të ofronin skenarin e reformës në vetting.
Ky grup u themelua nga qeveria e kaluar, nën udhëheqjen e Albin Kurtit.
Grupi i ekspertëve tha se deri te dorëheqja ka ardhur pasi janë njoftuar përmes emailit nga Ministria e Drejtësisë, që do të themelohet një grup i ri punues lidhur me hartimin e modaliteteve dhe skenarëve për çështje të reformës në sistemin e drejtësisë, me qëllim të adresimit të llogaridhënies, duke mos përjashtuar edhe procesin e vetting-ut.
“Përmes kësaj shkrese ju informojmë se si grup, në mënyrë kolektive, tërhiqemi nga puna e grupit punues, duke marrë për bazë se koncepti dhe qëllimi origjinal i idesë për të hartuar skenarët mbi elementet e reformës së vetting-ut në sistemin e drejtësisë në Kosovë, është duke devijuar përmes qasjes së re, ku pjesëmarrja apo kontributi i grupit të ekspertëve ka humbur rëndësinë”, thuhet në njoftim.
Grupi i ekspertëve të pavarur, që është tërhequr nga hartimi i modaliteteve për vetting-un, tha se qëllimi i këtij grupi, kur është themeluar, nuk ka qenë që të jetë “servil i partive politike”, por “qëllim i pastër për të ofruar ekspertizën dhe njohuritë tona lidhur më këtë fushë kaq të rëndësishme për sundimin e ligjit në Kosovë”.
Sipas këtyre ekspertëve, qasja e re e institucioneve kompetente ndaj procesit të vetting-ut ka bërë që roli i këtij grupi të jetë i parëndësishëm.
Në muajin qershor, Radio Evropa e Lirë raportoi se ideja që grupit të ekspertëve për procesin e vetting-ut në drejtësi t’i bashkohen edhe akterë të tjerë të sistemit të drejtësisë në Kosovë si dhe përfaqësues të ambasadave të huaja, shihet nga shoqëria civile si zvarritje e këtij procesi.
Anëtarët që dhanë dorëheqje nga grupi për vetting-un janë: Airana Qosaj-Mustafa, Arton Demhasaj, Arbëresha Loxha, Ehat Miftaraj, Fisnik Korenica, Kreshnik Gashi dhe Kujtim Kërveshi.