Ministri i Shëndetësisë i Kosovës, Armend Zemaj, tha se pothuajse çdo person që ka vdekur nga COVID-19 - sëmundja që e shkakton koronavirusi - në Kosovë, ka pasur sëmundje të rënda shoqëruese.
Zemaj i bëri këto komente të martën në një konferencë për media në Prishtinë.
“Jam interesuar në detaje për sëmundjet shoqëruese. Kam kërkuar çdo detaj nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik. Janë të gjitha detajet e përfshira në bazë të protokollit. Por, është Ligji për mbrojtjen e të dhënave dhe nuk na lejon t’i shpalosim. Çdo person që ka rezultuar me fatalitet, pothuajse ka pasur sëmundje të rënda shoqëruese. Edhe ata që nuk kanë shkuar deri në [Klinikën] Infektive, por janë testuar më vonë”, tha Zemaj.
Në lidhje me vdekjet e disa pacientëve në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, të cilat po hetohen nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, Zemaj tha se nuk ndërhyen në punët e prokurorisë dhe se pret raport prej saj.
Mediat lokale në Kosovë raportuan të dielën për vdekjen e disa pacientëve me koronavirus, duke thënë se ka pasur probleme me sistemin e oksigjenit në repartet ku po trajtoheshin.
“Qytetarët dhe posaçërisht familjet që kanë dyshime, duhet ta dinë të vërtetën. Unë nuk përzihem në punët e prokurorisë, është punë e saj. Ajo çka kërkoj, është të dalë sa më shpejt me raport konkret, të na njoftojë me detaje nëse ka ndonjë element të veprës penale ose jo”, tha Zemaj.
Ai po ashtu tha se shkarkimi i drejtorit të përgjithshëm të Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës, Basri Sejdiu, një ditë më parë, i hap rrugë “sistemit të mirëfilltë të shëndetësisë dhe llogaridhënies”.
Sejdiu është shkarkuar të hënën nga Bordi drejtues i Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës, për shkak të, siç është thënë, “performancës jo të kënaqshme dhe mospërmbushjes së detyrave të punës”.
Vetë Sejdiu e ka cilësuar si “të padrejtë dhe politik” vendimin për shkarkimin e tij.
Në Kosovë, që nga shpërthimi i pandemisë së koronavirusit në mes të marsit, janë konfirmuar gjithsej 3,703 raste pozitive.
Prej tyre, 79 pacientë kanë vdekur, ndërsa 1,946 janë shëruar.