Në QKUK po trajtohen 144 pacientë me COVID-19

Foto ilustrim.

Qendra Klinike Universitare e Kosovës (QKUK) ka njoftuar se aktualisht janë duke u trajtuar 144 pacientë me COVID-19, sëmundja që shkaktohet nga koronavirusi i ri.

“Në Klinikën Infektive janë 111 raste, 55 prej të cilëve janë duke u trajtuar me oksigjenoterapi. Në Mjekësinë Sportive 9 raste, prej tyre, dy të intubuar, kurse në Klinikën e Pulmologjisë janë të shtrirë 24 raste të konfirmuara me COVID-19 pozitiv”, thuhet në njoftimin e QKUK-së.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), ka njoftuar se të dielën ka regjistruar nëntë të vdekur me COVID-19, sëmundjen që e shkakton koronavirusi. Numri i të vdekurve në Kosovë nga koronavirusi ka arritur në 75. IKSHPK-ja njoftoi se viktimat kishin edhe sëmundje të tjera shoqëruese, por nuk dha më shumë detaje.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës po ashtu ka njoftuar se të dielën ka regjistruar edhe 152 raste të reja. Në Kosovë deri më tani janë regjistruar 3,508 raste pozitive me COVID-19. Prej tyre, 1,531 vazhdojnë të jenë raste aktive.