Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës u ka bërë thirrje qytetarëve që të respektojnë rekomandimet, në mënyrë që të parandalohet përhapja e mëtejmë e koronavirusit.
Ky apel i IKSHPK-së vjen vetëm një ditë pasi në Kosovë nga sëmundja COVID-19, që shkakton koronavirusi, vdiqën tetë persona dhe u regjistruan 178 raste të reja.
“Apelojmë te qytetarët, bizneset, gastronomia, që në mënyrë strikte të respektojnë distancën fizike, përdorimin e maskave, dezinfektimin dhe ajrosjen e lokaleve, duke pamundësuar përhapjen eventuale të infeksionit dhe shmangien e përhapjes në hapësirat e mbyllura”, thotë IKSHPK-ja.
Sipas Institutit, çdo qytetarë që shkel rregullat, rrezikon shëndetin e jetës së vetë dhe të të tjerëve.
Sipas të dhënave të fundit, në Kosovë që prej regjistrimit të rasteve të para me koronavirus e deri më 4 korrik janë regjistruar 3,356 raste. Prej tyre, 66 pacientë kanë vdekur, 1,874 janë shëruar, ndërsa raste aktive vazhdojnë të jenë edhe 1,416 pacientë.