Kosovës i shtohen edhe 79 raste me koronavirus

Qendra Klinike Universitare e Kosovës

Të martën në Kosovë janë konfirmuar edhe 79 raste me koronavirusin e ri, duke e çuar numrin e përgjithshëm të të infektuarve në 2.878.

Sipas njoftimit të Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, nga sëmundja COVID-19 ka vdekur edhe një person, duke e çuar numrin e viktimave në 51.

Aktualisht raste aktive me koronavirus janë 1.250. Gjatë 24 orëve të fundit janë shëruar edhe 71 pacientë.

Numri i përgjithshëm i të shëruarve ka arritur në 1.577.

Më herët Klinika Infektive e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës ka njoftuar se aktualisht janë të shtrirë 111 raste me Covid-19, sëmundjen që e shkakton koronavirusi.

Në raportimin ditor të kësaj klinike thuhet se "66 raste janë duke u trajtuar në reparte me oksigjenoterapi dhe përkujdesje intensive".

"Në repartin e Mjekimit Intensiv të kësaj klinike janë duke u trajtuar 6 raste, 2 raste janë në gjendje të rëndë duke u trajtuar me oksigjenoterapi dhe përkujdesje intensive, si dhe 4 raste janë në gjendje kritike me frymëmarrje të asistuar me respiratorë", thuhet në njoftim.

Po ashtu bëhet e ditur se disa pacientë me Covid-19 janë të shtrirë edhe në objektin e Mjekësisë Sportive dhe në Klinikën e Pulmologjisë.