Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, tha se vizita e tij në Kosovë është zhvilluar në funksion të “një nevoje kombëtare”.
Rama foli në një konferencë për media në Aeroportin e Prishtinës, pak para se të largohej nga Kosova, ku qëndroi qysh të hënën.
“Dua ta bëj të qartë faktin se jam këtu, në funksion të një nevoje kombëtare, për t’i dhënë mbështetje të plotë Kosovës dhe të gjithë përfaqësuesve politikë në kushtet kur ka ndodhur diçka e rëndë dhe thellësisht e padrejtë”, tha Rama.
Vizita dhe komentet e tij pasojnë njoftimin e javës së kaluar të Zyrës së Prokurorit Special se ka paraqitur një aktakuzë për krime lufte kundër presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, dhe të tjerëve, emrat e të cilëve nuk janë bërë publikë.
Duke e komentuar këtë aktakuzë, Thaçi tha të hënën, në një fjalim para opinionit, se nëse aktakuza konfirmohet, ai do të japë dorëheqje.
Thaçi tha se akuzat për krime lufte kundër tij janë "false".
Ngjashëm është deklaruar, ditë më parë, edhe kryetari i PDK-së, Veseli, i cili ka thënë se dyshimet e ngritura nga Zyra e Prokurorit Special janë të pavërteta.
Rama, i cili vizitoi Kosovën së bashku me ministrin e Jashtëm të Shqipërisë, Gent Cakaj, tha se “procesi i vënies së drejtësisë në Kosovë për krimet e luftës është konceptuar, mbështetur dhe zhvilluar si proces i pandashëm nga procesi i shtet-ndërtimit, i pajtimit ndëretnik, i integrimit evropian, i dialogut dhe normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë".
Rama po ashtu bëri të ditur se, nga sot, rrjeti i përbashkët elektro-energjetik midis Kosovës dhe Shqipërisë ka hyrë plotësisht në funskion.
“Është një lajm i gëzueshëm për faktin se e dimë shumë mirë se sa kohë na është dashur të presim, qëkur kemi vënë në lëvizje investimin e madh”, tha mes tjerash Rama.
Lexoni edhe këtë: